Bota Mike Pence sulmon Biden: Një kalë Troje i së majtës ekstreme

Mike Pence sulmon Biden: Një kalë Troje i së majtës ekstreme

Një mesazh kundër protestave të dhunshme në rrugë, një sulm ndaj kundërshtarit Joe Biden dhe një premtim elektoral për zbulimin e një vaksine për koronavirusin “deri në fund të vitit” është përmbledhja e fjalimit të zv/presidentit Mike Pence në ditën e tretë të konventës republikane, para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit 2020.

Krahu i djathtë i Donald Trump foli nga Fort McHenry, vendi i betejës që frymëzoi himnin kombëtar amerikan, ku në 1812 u shpall fitorja kundër britanikëve në Baltimore Harbour.

Nga fjalimi i tij u dallua qartë synimi i republikanëve për të shfrytëzuar protestat e ditëve të fundit në favorin e tyre, duke u përpjekur për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga urgjenca e koronavirusit dhe kriza ekonomike që pasoi për shkak të pandemisë.

Sa i përket menaxhimit të Covid-19, Pence kujtoi vendimin e presidentit Trump për “ndalimin e fluturimeve nga Kina, vendi i dytë më i fortë në botë” dhe angazhimin e Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar një vaksinë kundër virusit.

Pikërisht në lidhje me këtë temë, mbërriti edhe një premtim: “Biden tha se deri më tani nuk po vjen asnjë mrekulli, por Amerika është vendi i mrekullive. Unë, po ju them se do të kemi vaksinën e parë të sigurtë kundër virusit Covid-19 deri në fund të vitit”.

“Jo vetëm që kemi vendosur për të hapur vendin, vazhdoi zv/presidenti i SHBA-së, por do të hapim edhe shkollat”.

Pence u tregua shumë i qartë për protestat e dhunshme që kanë shpërthyer gjatë ditëve të fundit në SHBA. “Më lejoni të tregohem i qartë: dhuna duhet të ndalet, qoftë në Minneapolis, Portland apo Kenosha. Ne do të kemi ligj dhe rend në rrugët e vendit, për çdo amerikan të çdo lloj kombësie, feje dhe ngjyre”, tha ai.

Në fushatën zgjedhore të Trumpit, konceptet e rendit dhe ligjit marrin një rol shumë të spikatur. Por, Pence nuk iu referua asnjë rasti për afro-amerikanët e vrarë apo të plagosur nga policia, si dhe për personin që qëlloi dhe vrau dy protestues të martën në darkë në Kenosha.

Ai u rreshtua në krah të forcave të rendit, duke mos mbështetur pakicat. “Burra dhe gra, vazhdoi ai, ata që veshin atë uniformë janë më të mirët nga ne. Sa herë që dalin nga shtëpia, ata mendojnë për jetën e të tjerëve më shumë se sa për jetën e tyre. Presidenti Trump dhe unë gjithmonë do të mbështesim të drejtën e amerikanëve për të protestuar në mënyrë paqësore, por dhuna dhe vjedhjet nuk janë protesta paqësore. Prishja e statujave nuk është liri e fjalës dhe kushdo që e bën një akt të tillë do të dënohet”.

Në fjalimin e tij pati sulme të drejtpërdrejta ndaj Joe Biden, kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, të përcaktuara nga Trump si “një kalë Troje të së majtës ekstreme”.

“Të jeni të sigurt, me Biden president, nuk do të jeni kurrë të sigurt. Ai dëshiron të shkurtojë fondet për forcat e rendit. Ne kurrë nuk do ta bëjmë një gjë të tillë. Zgjedhjet e nëntorit do të vendosin nëse Amerika do të mbetet Amerikë. Demokratët prej katër ditësh kanë sulmuar Amerikën, por siç tha presidenti Trump, atje ku Joe Biden sheh errësirën, ne shohim madhështinë. Trump ka nevojë për katër vjet të tjera në Shtëpinë e Bardhë”, tha Pence.

Në fund të fjalimit të Pence, Trump dhe bashkëshortja e tij u futën në skenë për të përshëndetur të pranishmit, shumica prej tyre veteranë dhe invalid lufte.

Shumica prej tyre ishin pa maska mbrojtëse, Presidenti dhe Melania i përshëndeten ata pa u afruar shumë në distancë, ndërsa Pence i përshëndeti duke puthitur grushtin me ta.