Sport “Milan kujdes me Rangnick, nuk e njeh futbollin italian si Pioli”

“Milan kujdes me Rangnick, nuk e njeh futbollin italian si Pioli”

Milani pret fundin e sezonit për të zyrtarizuar Ralf Rangnick në krye të pankinës, me rolin e trefishtë si trajner, drejtor teknik dhe shef i ekipit mjekësor, por skuadra në fushë po kalon një moment fantastik dhe gjithmonë e më shumë shtohen zërat kundër shkarkimit të Stefano Piolit.

Më i fundit që u është bashkuar këtyre zërave është ish-drejtori sportiv i Milanit dhe Barcelonës, Ariedo Braida, që në një intervistë të dhënë për mediat italiane pranoi se Pioli ka bërë një punë të shkëlqyer dhe se nuk ia vlen të ndërrohet me Rangnick.

“Pioli po bën mjaft mirë dhe unë jam për ta konfirmuar në krye të pankinës, pasi njeh shumë mirë grupin e futbollistëve, ka arritur të krijojë bërthamën për një skuadër konkurruese dhe mbi të gjitha njeh mirë edhe futbollin italian. Për Rangnick më kanë folur shumë mirë dhe e di që është një njeri që lëviz shumë për të gjetur lojtarë të rinj me perspektivë, por ai nuk e njeh futbollin italian dhe emërimi i tij do të ishte një risk”, deklaroi Braida.

Së fundi Administratori i Milanit Ivan Gazidis po mendon edhe për një skenar tjetër që sheh konfirmimin e Stefano Piolit si trajner dhe afrimin e Ralf Rangnick në rolin e drejtorit teknik, por kjo nuk i pëlqen aspak Braidës.

“Është e vështirë, pasi po flasim për dy njerëz të fortë dhe me karakter, ndaj nuk besoj se mund të rezistojnë gjatë të dy bashkë. Unë jam për konfirmimin e Piolit, por jo me Rangnick drejtor teknik. Sa i përket Ibrës, besoj se duhet futur në fushë përsa kohë që është mirë fizikisht”, tha Braida.