Milan barazoi 1-1 me Napolin në çerekfinalen e kthimit, duke u kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions League, pas fitores 1-0 në San Siro.
Fatin e ndeshjes e vendosi një aksion fantastik i Leaos, i cili dribloi tre mbrojtës dhe pasoi te Giroud, i cili shënoi me portën e boshatisur për të shënuar golin e vetëm për kuqezinjtë, vetëm disa minuta pasi kishte humbur një 11-metërsh.
Në pjesën e dytë, Napoli kishte mundësinë më të mirë për të barazuar rezultatin, por Kvaratskhelia nuk mposhti dot portierin kuqezi Maignan nga pika e bardhë e 11-metërshit. Barazimi për ekipin e drejtuar nga Spalleti erdhi vetëm në minutat shtesë, me anë të Osimhen.
Tashmë, Milan pret fituesin e çiftit Inter-Benfica.
Real Madrid për herë të 32-të në gjysmëfinalen e Champions League
Real Madrid për të 32-tën herë në histori në një gjysmëfinale të UEFA Champions League. Skuadra e rekordeve, kampionët në fuqi respektojnë parashikimet dhe mbrojnë me sukses avantazhin e ndeshjes së parë duke imponuar ritmin edhe në fushën e Chelseat.
Braziliani Rodrygo ndriçoi mbrëmjen e madrilenëve në Londër me dy gola të shënuar në pjesën e dytë për ta mbyllur llogarinë totale të kësaj përballjeje në 4-0.
Mbyllet kështu përfundimisht aventura dhe praktikisht edhe sezoni për blutë e Londrës jashtë çdo kompeticioni dhe tashmë shtrohet rruga për “Los Blancos” që do të mësojnë nesër emrin e kundërshtarit të ardhshëm nga çifti Bayern Munchen-Manchester City.
Në këtë mënyrë, kampionët me shumë mundësi mund të sfidojnë ekipin e Pep Guardiolas sërish për të dytin vit rresht në gjysmëfinale ndërsa rrugëtimi është identik edhe përsa i përket çerekfinales pasi edhe sezonin e kaluar skuadra e Ancelottit kaloi Chelsean.