Ai që dukej si viti i ringjalljes, bëhet i dyti radhazi, për t’u harruar. Te Milani nuk ka buzëqeshje për festat, madje edhe gjatë pushimeve. Mbi të gjitha, sepse viti 2019 mund të fillojë tashmë me lajme të forta, duke filluar nga stoli.
Pas barazimit pa gola kundër Frosinones, pozita e Gennaro Gattuso në stolin kuqezi duket tashmë e komprometuar. Sipas “Gazzetta dello Sport”, edhe fitorja ndaj SPAL, në ndeshjen e fundit të kampionatit për vitin 2018, mund të mos jetë e mjaftueshme.
Para dy javësh, klubi i kishte kërkuar trajnerit 6 pikë në 2 ndeshje, për të justifikuar humbjen në shtëpi me Fiorentinën dhe eliminimin nga “Europa League”. Megjithatë, ecuria negative vijoi. Fitorja e fundit e Milanit daton më 2 nëntor, kundër Parmës, në shtëpi. Që atëherë, tri barazime pa gola dhe “kolapsi” me vjollcët. Pa shënuar gol në 360 minutat e fundit.
Situata u bë edhe më delikate pas ndeshjes së fundit, e cila e sheh Milanin tri pikë më poshtë se vendi i katërt, i tejkaluar edhe nga Sampdoria. Fitorja në shtëpi, kundër SPAL, gjithashtu bëhet një detyrim për renditjen, e cila po përkeqësohet ditë pas dite.
Reflektimet e menaxhmentit kuqezi tashmë kanë filluar. Sipas “Gazzetta dello Sport”, tre janë emrat, që lakohen për të zëvendësuar Gattuso. I pari është Roberto Donadoni, ende nën kontratë me Bolonjën, deri në vitin 2019. Pastaj pëlqehet Arsene Wenger, por francezi duket një pistë më e komplikuar. Dhe në fund, Francesco Guidolin.
Për të gjetur një zëvendësues të mundshëm do të ketë kohë në janar, nëse klubi vendos ta largojë Gattuson. Pas barazimit në Frosinone, askush nuk e fshehu zhgënjimin në ekip. Kundër SPAL, kuqezinjtë nuk mund të gabojnë kurrsesi. As fitorja nuk do të jetë e nevojshme për të bindur, sepse krerët e Milanit kanë dyshime të plota për suksesin afatgjatë me drejtimin aktual teknik.