Sport Milani mundet sërish nga Chelsea, Real Madrid ndalet në Varshavë, paqe në...

Milani mundet sërish nga Chelsea, Real Madrid ndalet në Varshavë, paqe në Paris

Milani është mundur sërish nga Chelsea dhe pse me polemika ndaj gjyqtarit. Graham Potter fërkon duart pas një suksesi të pastër 2-0 i ndikuar edhe nga dalja e Tomorit me të kuq që shkaktoi penalltinë e zhbllokimit të ndeshjes nga Jorginho, ndërsa në “San Siro” pllakosi heshtja pas golit të dytë të Aubameyang. Megjithatë, Milan është ende në lojë për tu kualifikuar.

Barazimi 1-1 në ndeshjen Dinamo Zagreb-Salsburg i mban në lojë kuqezinjtë me 4 pikë në vendin e tretë të paraprirë nga Chelsea me 7 dhe austriakët me 6.

Barazojnë kampionët e Europës në fuqi. Real Madrid u ndal 1-1 në Varshavë përballë Shakhtar Donetsk. Ukrainasit në një moment të vështirë për shkak të luftës në vendin e tyre, shënuan me Zubkov por Rudiger në fund me një kërcim që i shkaktoi një dëmtim, vendosi barazpeshën. Shakhtar zbret në vendin e tretë me 5 në grupin ku Real kryeson me 10 ndërsa Leipzig që triumfoi 2-0 në Glasgow kundër Celtic, ngjitet në të dytin me 6 pikë.

Në grupin G, Sevilla nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në Dortmund duke qëndruar në 5 pikë diferencë nga gjermanët e vendit të dytë. Barazim 1-1 edhe në Paris mes PSG dhe Benfica ku të dyja skuadrat shkojnë në kuotën e 8 pikëve me luzitanët për momentin në vendin e parë për shkak të golavarazhit më të mirë.