Milani nuk heq dorë nga Igli Tare. “Sportmediaset” i ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimeve të fundit në klubin kuqezi, duke pasur në qendër të vëmendjes pikërisht drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare. Titulli është një lojë fjalësh “Tra il dire e il Tare” (mes të thënit dhe të bërit), duke përshtatur mbiemrin e drejtuesit shqiptar. Shkrimi rendit një sërë argumentesh pse Igli Tare shihet si shpëtimtari i Milanit.
Milani është i shenjës së Shigjetarit dhe horoskopi nuk duket keq në këto ditë të para të verës. Paolo Maldini që pranon të jetë një “gur” i rëndësishëm në ndërtimin e radhës të klubit, trajneri Marko Xhanpaolo që ka thënë “Po”, rikthimi si “politikan” i Zvonimir Bobanit, si dhe shtyrja e vendimit të UEFA-s për fatin europian të Milanit pasi të ketë dhënë verdiktin KAS-i, janë gjëra pozitive. Në dialektin milanez, “Tas” do të thotë “hesht” dhe kështu po ndodh për momentin. Disa lëvizje, të gjitha të rëndësishme, megjithatë mungon një hallkë thelbësore dhe ndoshta ajo më urgjentja: drejtori i ri sportiv. Maldini ka lënë të kuptohet se i ka idetë të qarta për këtë rol, ku ai kërkon një figurë kompetente në krah, një ekspert të fushës. Kandidati më serioz është Igli Tare, ish-sulmuesi shtatlartë shqiptar (dollapi e quan autori i shkrimit, Andrea Saronini), me të cilin kushedi sa herë ish-kapiteni kuqezi ka shkëmbyer bërrylat në zonën e rreptësisë. Tare është një nga ata drejtorë sportivë me një fjalë virtualisht të shkruar në ballë: “plusvalencë”.
Është e kotë ta fshehësh, kjo është fjala kyçe e kësaj vere për Milanin, por edhe për të ardhmen. Klubi duhet të shesë, ndoshta jo shumë, por duhet të bëjë shitje të zgjuara. Duhet bërë ndonjë blerje për sot, por me sytë nga e ardhmja, duhen shfrytëzuar okazionet që ofron merkatoja dhe të gjitha këto mund t’i bëjë një person që e njeh mirë këtë fushë. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është e nevojshme të kesh një rrjet sysh (bashkëpunëtorësh) nëpër botë, që të garantojnë “lëndën e parë”, më të mirën dhe atë që është më pak e mirë. Igli Tare i ka të gjitha këto cilësi, madje ka edhe një tjetër që mund të bëjë për të qeshur, por që duhet theksuar: ka pasur të bëjë për shumë vite me Klaudio Lotiton dhe i ka sjellë atij rezultate ekonomike dhe sportive. Nuk është aspak e thjeshtë.
Duhet parë, nëse presidenti më aktiv dhe me më shumë influencë në futbollin italian do ta lejojë të largohet faktorin kryesor të llogarisë bankare të Lacios, Igli Taren. Drejtori sportiv është çështja më e rëndësishme për t’u zgjidhur nga Milani, më e rëndësishme se ajo e trajnerit, sepse klubi e ka urgjente rregullimin e bilanceve, për të pasur më pas një buxhet, me të cilin mund të veprojë për ekipin e ri. Do të ishte një sinjal i fortë edhe për Nionin. Ta shesësh Donarumën për shumë miliona është e lehtë edhe për një drejtues jo ekspert. Por të shesësh mirë është shumë e vështirë, mund ta konfirmojë çdo drejtor sportiv në botë.
Nëse nuk konkretizohet pista “Tare”, Maldini duhet të kalojë në planin B shumë shpejt. Ai e kërkon me ngulm këtë figurë në pjesën e sipërme të piramidës, një figurë të njohur, të kualifikuar dhe me përvojë. Duhet pritur me qetësi dhe ndoshta horoskopi i Shigjetarit do të vazhdojë të jetë pozitiv për Milanin.