Milani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga objektivi sezonal, që është një vend në kupat e Europës, pasi sot ia doli të marrë një fitore bindëse 1-4 në stadiumin “Via Dell Mare” përballë Lecces vendase.
Pa Ibrahimovic të dëmtuar, kuqezinjtë e nisën mirë takimin dhe arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 26’ me golin e shënuar nga spanjolli Samu Castillejo, ndërsa Lecce shënoi 10 minuta më vonë, por goli u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.
Vendasit, që luajnë për mbijetesë, provuan të ndryshojnë fatin e ndeshjes dhe gjetën golin e avantazhit me Mancosu, që ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Babacar në minutën e 54-t të takimit.
Megjithatë vetëm një minutë më vonë, një çoroditje në mbrojtjen e Lecces u shfrytëzua mjaft mirë nga Bonaventura që riktheu sërish avantazhin e Milanit, ndërsa pak më vonë ishte kroati Rebic që shënoi edhe golin e qetësisë pas një kundërsulmi të shpejtë.
Në minutat e mbetura pati kohë edhe për një golit të shënuar nga sulmuesi portugez Rafael Leao, ndërsa Pioli nuk mund të rrijë plotësisht i qetë pas kësaj ndeshjeje, sepse pas Duarte dhe Musacchios, humbi sot edhe mbrojtësin tjetër Kjaer, i cili u zëvendësua i dëmtuar në pjesën e parë.
Po në orën 19:30, në “Artemio Franchi” të Firences u zhvillua sfida mes Fiorentinës vendase dhe Brescias, një takim mjaft i luftuar dhe i shpejtë, por në fund të dy skuadrat u detyruan të marrin nga një pikë falë barazimit 1-1.
Ishin pikërisht “dallëndyshet” që kaluan të parët në avantazh në minutën e 17’, kur sulmuesi Donnarumma u tregua i saktë në ekzekutimin e një penalltie, ndërsa Fiorentina riktheu shpejt baraspeshën me anë të kapitenit German Pezzella.
Të besuarit e Bepe Iachinit dominuan dhe krijuan shumë mundësi në pjesën e dytë, por herë për meritë të portierit e herë për mungesë të fatit, topi nuk arriti të përfundojë për herë të dytë në rrjetën e Brescias.
Në 20 minutat e fundit Fiorentina luajti me një lojtar më pak, por sërish nuk e uli intensitetin e sulmeve, ndërsa as aktivizimi i Cutrones në minutat shtesë nuk solli golin që mund t’u jepte tre pikët vendasve.