Aktualitet Miliarderi shqiptar që u “godit” nga EUROPOL: Nuk ishim si shqiptarët e...

Miliarderi shqiptar që u “godit” nga EUROPOL: Nuk ishim si shqiptarët e tjerë

Bashkim Osmani

Në Kosovë, vëllezërit Osmani njihen si miliarderë të famshëm. Prej vitesh jetojnë në Gjermani, ku kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera europiane. Paratë raportohet se i kanë investuar në ndërtim, shitblerje pronash, lojëra fati, ndërsa në mediat shqiptare janë prezantuar si biznesmenë të fuqishëm.

Por orët e fundit, në mediat europiane, vëllezërit Osmani po përmenden si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Europë.

Kush është Bashkim Osmani

50-vjeç, shqiptar nga Kosova, Bashkim Osmani prezantohet në mediat spanjolle si bosi mafioz i dashuruar me Majorkën. Anëtar i një klani me biznese të dyshimta në Gjermani – ku tashmë ishte dënuar me gati katër vjet burg së bashku me vëllain e tij në 2008 për një krim ekonomik – ai mbërriti në ishull dy dekada më parë dhe u martua me një grua gjermane në rezidencën e tij. Për banketin me qindra të ftuar, solli me avion privat artistë të njohur gjermanë dhe shqiptarë.

Osmani kalon periudha të gjata në Majorka, shkruan mediat spanjolle, aty ku u arrestuan bashkëshortja dhe vjehrri i tij. Operacioni i Europol i pagëzuar “Shqiponja e zezë” e kapi Bashkim Osmanin në Kroaci. Pas pak ditësh, ai të ekstradohet në Spanjë.

Bashkim Osmani krijoi shumë njohje dhe zgjeroi ndikimin e tij në politikë dhe shërbeu si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës, bazuar në një raportim të gazetës politike kroate, Nacional.

Shqiptari nga Kosova është i dyshuari kryesor i një operacioni të EUROPOL-it kundër trafikimit të drogës, ka thënë se pasurinë e ka bërë duke investuar në prona të paluajtshme në Hamburg dhe më pas në Spanjë. Në një intervistë për gazetën kroate Nacional në vitin 2007, Osmani kishte thënë se pas transferimit në Hamburg në vitet 1980, familja e tij kishte rritur ndjeshëm pasurinë që kishin në Kosovë.

Bashkë me tre vëllezërit e tij, Bekimin, Qazimin dhe Burimin, u kapën në Kroaci, raportoi të mërkurën gazeta kroate Jutarnji List. Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën ishin të përfshirë edhe shqiptarët.

Osmani posedon një pasaportë kroate, në vitin 2007 ai bleu një hotel në qendër të Poreçit, një qendre turistike në Kroaci. Në atë kohë, Osmani tha për të përjavshmen politike kroate se ishte pasuruar duke investuar në prona të paluajtshme, fillimisht në Hamburg dhe më pas në Spanjë. Familja Osmani konsiderohej një nga familjet më të pasura shqiptare në Gjermani.

Familja Osmani është nga rrethi i Gjakovës, prej nga u shpërngulën në Hamburg në mesin e viteve 1980. “Gjithçka filloi në fillim të viteve tetëdhjetë kur vëllai i parë Qazimi u largua nga Gjakova për në Gjermani, dhe ne shkuam pas tij. Në atë kohë në Jugosllavi, si shqiptarë, nuk kishim perspektivë, sidomos nëse ishe ambicioz”, tha ai.

“Familja jonë ka qenë gjithmonë e famshme. Në Kosovë edhe para luftës së dytë botërore dhe pas lufte babai ka qenë politikan prandaj as në Gjermani nuk kemi shkuar me kruese dhëmbësh në gojë. Ne kishim një nga restorantet më të mëdha në Prishtinë, ishim pronarë të parcelave të mëdha tokash në Kosovë, kishim aksione pronësie në argjendari, nuk mund të ankoheshim”, rrëfeu ai.

“Por cilësia e jetës në Kosovë ishte e ulët. Udhëtuam, pamë botën, nuk ishim si shqiptarët e tjerë që mendonin se duhej të bënim dhjetë fëmijë dhe kaq. Jeta nuk është kështu, ne donim lirinë tonë, dhe ju e dini se si dukej Kosova viteve 1980”, ka thënë ai në një intervistë të vitit 2007. “Ishin vite të mira, unë isha 30 vjeç, isha i ri, kisha para dhe kisha njerëz që më këshillonin mirë. Një mik hebre atëherë më tha ‘bli dhe lësho me qira, por kurrë mos shit pasuri të paluajtshme dhe kështu nuk do të jesh kurrë i varfër’. Bleva të gjithë rrugën në qendër të Hamburgut, më shumë se 200 apartamente të vjetra që i rimodelova dhe i lëshova me qira. Kjo blerje më kushtoi 20 milionë marka gjermane. Isha me fat që çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 15 deri në 20 për qind brenda dy viteve”, rrëfeu Bashkim Osmani.