Rikthimin e Partisë Socialiste tek ideja e koalicionit, duke riaktivizuar Aleancën për Shqipërinë Europiane, partnerët e saj më të vegjël e shohin me skepticizëm.
Paskal Milo, kryetar i Demokracisë Sociale, është një nga aleatët e hershëm të socialistëve në garat elektorale. Më shumë se një reflektim, ai e sheh një kalkulim elektoral të partisë më të madhe.
“Unë mendoj se nuk është reflektim, por interesi i Partisë Socialiste, që të krijojë koalicion para zgjedhor, në luftën e saj për të marrë sa më shumë bashki. Për të realizuar këtë objektiv, i duhet një përqendrim dhe maksimalizim i votës”, tha Milo.
Pavarësisht ceremonive me të cilat socialistët kanë shoqëruar ndër vite formimet e koalicioneve, zhgënjimi i partnerëve të vegjël ka qenë konstante e periudhave paszgjedhore, ku kontratat e bashkëpunimit kanë mbetur vetëm në letër.
“ Partia Socialiste, në traditën më të keqe të saj, nuk i ka respektuar marrëveshjet me aleatët, por i ka keqpërdorur ata. Në mënyrë më flagrante ndodhi në vitin 2017, kur PS-ja donte të merrte e vetme “tepsinë”, dhe na përjashtoi në momentet e fundit”, deklaroi Milo.
Në bazë të planit organizativ, socialistët parashikojnë tre takime, në janar, shkurt dhe mars, para finalizimit të koalicionit. Por Paskal Milo thotë se këtë herë nevojitet një provë e vullnetit të mirë nga ana e PS-së.
“Do të varet shumë nga vetë partia Socialiste, se sa ajo do të jetë në gjendje t’u forcojë aleatëve të vet historikë, nëse kanë mbetur ende të tillë. Ne do të dëshironim që ata të jepnin prova të ndalimit të keqpërdorimit të partive aleate, të cilat vetëm i kanë dhënë PS-së ndër vite, por nuk kanë marrë asgjë prej saj”, theksoi Paskal Milo.
Në kushtet kur në këto zgjedhje do t’i mungojnë gati 260 mijë votat e LSI-së dhe 60 mijë të PDIU-së, që dy ish-aleatët morën në 2015-ën, PS është e detyruar të bëjë llogaritë mirë.
Socialistët synojnë të shfrytëzojë përsëri të gjitha ato parti të vogla, që ndonëse në disa raste janë vetëm realitete lokale, të gjitha së bashku, në zgjedhjet e kaluara vendore, morën gati 270 mijë vota, në krahasim me 400 mijë votat që shkruan për PS-në.