Ish-ministri i Jashtëm, njëkohësisht kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos këtë të enjte, ku ndër të tjera foli edhe për situatën politike në vend dhe komentoi edhe ardhjen e delegacionit të PE në vendin tonë.
Paskal Milo u shpreh se deklaratat e delegacionit të PE nuk ishin surpriza, pasi sipas tij, ato janë thuajse të njëjta në të tilla situata në 30 vite.
“Për mua nuk përbën ndonjë surprizë, por gjithsesi nuk kisha shpresuar se ata do të silleshin ndryshe veç të këmbëngulnin që opozita të rikthehet në Parlament. Kjo është një këshillë që është thënë vazhdimisht për politikanët shqiptarë përgjatë gjithë këtyre 30 vjetëve. Kemi pasur edhe raste të tjera, si PS dhe PD, kanë braktisur parlamentin edhe pse jo në mënyrë përfundimtare. Për mua nuk ka qenë një veprim i papritur veprimi i politikanëve europianë. Ata e dinë sensibilitetin në Shqipëri, por edhe në Ballkan të veprimeve që dalin jashtë institucioneve. Kemi përvoja të hidhura nga ky aspekt. Përvoja ime personale si njeri aktiv i politikës është e tillë që delegacionet që vijnë, që monitorojnë vëzhguesit nuk arrijnë të gjitha qendrat e votimit dhe atje ku shkojnë, aktorët janë të kujdesshëm për të mos lënë gjurmë. Në fshatra, në qoshe të Shqipërisë, vjedhja maskohet. Për europianët, çështja e 2017-ës është e mbyllur. Unë kështu e mendoj”, tha Milo.
Por, a ka mundësi që ndërkombëtarët do të ndryshojnë qëndrim?
“Nëse do të ndryshojnë qëndrim, unë nuk besoj se do të ndryshojnë qëndrim në lidhje me zgjedhjet e vitit 2017, pasi ata e kanë bërë një vlerësim për të. Pavarësisht se mund të dalin edhe fakte të reja. Ata nuk mund t’i rikthehen një çështje që në Shqipëri ka ngjallur gjithmonë debat. Ata mund të ndryshojnë qëndrim, ose mund të vijnë në Shqipëri me mision ndërmjetësimi, nëse kriza, mesa duket, do të thellohet. E para për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve, të cilët nuk arrijnë dot të krijojnë një stabilitet politik”, u shpreh Milo.
Më tej, ish-ministri i Jashtëm, teksa foli për vjedhjen e votave, theksoi se tashmë ky fenomen është sofistikuar. “Vidhen partitë që nuk kanë përfaqësues në numërimin e votave. Dy partitë e mëdha nuk vjedhin njëra-tjetrën, por partitë e vogla. Pas vitit 2009, është synuar blerja e votës para se të shkohej në kutinë e votimit”.
Për kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, opozita do të tentojë të destabilizojë vendin, pasi tashmë nuk ka tjetër zgjidhje.
“PD dhe opozita e ka mbledhur mendjen për të shkuar thellë në nismën që ka ndërmarrë. Do të tentojë ta destabilizojë vendin, përmes akteve të ndryshme, përmes protestave në rrugë, në forma nga më të ndryshmet, pasi nuk ka rrugë tjetër”, tha Paskal Milo.