Kreu i PDS, Paskal Milo është i mendimit se opozita e ka mbyllur bojkotin e saj dhe këtë e tregon angazhimi dhe platforma e paraqitur për reformën zgjedhore.
Në emisionin “Open” në Top Channel, Milo tha se kupton që bojkoti tashmë ka mbaruar dhe “deri më 18 tetor do të kemi këtë luftë deklaratash dhe përplasjes, pastaj kur të merret vendimi për negociatat do të ketë një qasje tjetër”.
Milo foli edhe për një pistë të fshehtë që do të përdoret për të realizuar reformën zgjedhore.
“Ka edhe një pistë të fshehtë dhe ajo do të funksionojë. Unë e nuhas dhe do të ketë negociata me ndërmjetësim ndërkombëtar, jo publik, për të gjetur konsensusin për atë që nesër do të shpallet si reformë zgjedhore konsensuale. Deklaratat e opozitës dhe të Ramës nuk kanë koherencë, por bëhen në përputhje me zhvillmet e përditësuara”, u shpreh Paskal Milo.