Kryesore Mini Shengeni/ Rama: Refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës,  i dëmshëm...

Mini Shengeni/ Rama: Refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës,  i dëmshëm për vetë Kosovën

Liderët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Tiranë për takimin e tretë rajonal në kuadër të samitit të “Minishengenit” Ballkanik. Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama, Zaev, Vuçiç dhe Gjukanoviç dolën në një konferencë për mediat.

Kreu i qeverisë shqiptare në fillim të fjalës së tij i shprehu falenderimet vendeve të rajonit për angazhimin e tyre pas tërmetit të 26 Nëntorit.

“U jemi shumë mirënjohës të gjithë trupave të kërkim-shpëtimit, apo edhe të gjithë individëve apo grupeve që erdhën nga Mali i zi, Serbia, Maqedonia e Veriut për të asistuar Shqipërinë, popullin e prekur në zonën ku goditi fort tërmeti dhe për të shpëtuar, bashkë me të tjerët jetë njerëzish është diçka që do mbetet e mbresuar gjithmonë në kujtesën tonë dhe nga ana tjetër është shembull kuptimplotë i faktit se ndajmë së bashku fatet tona në një territor, në një hapësirë ku jemi të gjithë të detyruar të kapërcejmë të shkuarën dhe të ndërtojmë një të ardhme të denjë për fëmijët tanë”, tha Rama.

Më tej, Rama kritikoi Kosovën për refuzimin e pjesëmarrjes në samitin e Mini Shengenit Ballkanik, të zhvilluar këtë herë në Tiranë.

“Nisma nuk është përjashtuese për askënd, është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush. I kemi bërë ftesë të gjithëve të marrin pjesë. Më lejoni ta them hapur, se për mua, refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vetë Kosovën”, tha Rama.

“Ne jemi këtu për të ndërtuar urën mes të shkuarës që na ndan dhe të ardhmes që na bashkon. Bindja ime e thellë është se i gjithë ky proces është në koherencë të plotë me angazhimin e çdo vendi për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm dhe acid, por me ilaçe, dhe ilaçet nuk jemi të ftuar që t’i shpikim, por të shohim se si kanë funksionuar në realitete të ngjashme”, shtoi Kryeministri.

Kryeministri tha gjithashtu se vendet e përfshira në këtë nismë kanë rënë dakord me Komisionin Europian dhe Bankën Botërore për të krijuar një hartë të zhvillimit të pritshëm nga kjo nismë. “Çdo gjashtë muaj do të bëjmë një bilanc të arritjeve. Çdo vend që përfshihet përfiton”, tha Rama. “Komisioni Europianë do të japë 1,2 miliardë euro në formë granti për vendet tona në funksion të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Janë grante, jo kredi”.