Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e kushtëzon rinisjen e dialogut me Prishtinën me heqjen e taksës. Pas një takimi dje, menjëherë pas mbërritjes së tij në Mynih, me të dërguarin special të Presidentit të SHBA-ve për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell, Vuçiç tha se gjithçka varet nga heqja e taksës.
“Uashingtoni do që autoritetet e Kosovës të revokojnë taksën 100 për qind të mallrave nga Serbia, dhe ata insistojnë në pezullimin e saj të menjëhershëm dhe urgjent, në mënyrë që Beogradi dhe Prishtina të mund të rifillojnë dialogun. Ne u ulëm me ta në vende të ndryshme, por negociatat zyrtare varen nga heqja e taksave”, tha Vuçiç.
“Ideja ime është që kur të shkoni në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni Veriore dhe Shqipëri, të mos ketë kufij, por kjo kërkon stabilitet politik”, tha Vuçiç.
Ai komentoi edhe deklaratën e Albin Kurtit për Minishengenin si “krijimi i Jugosllavisë së katërt”. Vuçiç tha se gjithçka që ai dëshiron është të sigurojë standarde më të larta jetese për të gjithë ata që i bashkohen nismës Minishengen, duke shtuar se “zoti Kurti nuk njeh as historinë e popullit të tij, as historinë e rajonit“, ndërsa shtoi se në Prishtinë ka teori konspirative mbi këtë nismë.
“Qëllimi im i vetëm është të siguroj qarkullimin e lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit dhe ekonomi më të forta për rajonin, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët, por për fat të keq në Prishtinë nuk e kuptojnë këtë“, tha Vuçiç.