Emigrimi i shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar duket se ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë muajve të fundit. Pas deklaratave të sekretares së brendshme britanike Suella Baverman për emigrantët shqiptar, deklarata të cilat u shoqëruan me debate të shumta, por edhe me protesta, një tjetër reagim vjen nga Mbretëria e Bashkuar. Ministri i britanik i Emigracionit, Robert Jenrick, ka thënë se shqiptarëve duhet t’u ndalohet kërkesë për azil, pasi ata vijnë nga një vend i sigurt.
“Shqiptarëve duhet t’u ndalohet kërkesa për azil në Britaninë e Madhe pasi ata vijnë nga një vend i sigurt”, tha ministri i Emigracionit.
Sipas Daily Mail, Robert Jenrick ka thënë se shqiptarët duhet të përjashtohen nga e drejta për të kërkuar azil, duke paralajmëruar se nivelet e emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar janë të paqëndrueshme.
Komentet e tij kanë ardhur pasi ministria e Brendshme ka refuzuar të komentojë një raport të publikuar në “The Sunday Times” ku thuhej se ministrat po punojnë për një legjislacion që të ndalojnë azilkërkuesit që vijnë në mënyrë të jashtëligjshme të vendosen në Mbretërinë e Bashkuar.
Shqiptarët përbëjnë mbi një të tretën e 33,000 emigrantëve të Channel që mbërritën në nëntë muajt e parë të këtij viti dhe ministri Jenrick tha se ata tani ishin ‘përparësia numër një’.
Javën e kaluar kryeministri britanik Rishi Sunak zhvilloi bisedimet e tij të para me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në të cilat ata ranë dakord të mbyllnin ‘boshllëqet’ që parandalonin kthimin e shpejtë të azilkërkuesve të dështuar, ndërsa ministri i Emigracionit Jenrick sugjeroi se qeveria po kërkonte të shkonte më tej.
“Shqipëria është një vend dukshëm i sigurt. Është shumë e vështirë të shohësh se si një shqiptar duhet të jetë në gjendje të kërkojë me sukses azil këtu në Mbretërinë e Bashkuar. Ne kemi një marrëveshje kthimi, e cila është nënshkruar një vit më parë dhe një mijë shqiptarë janë kthyer tashmë. Ne po shikojmë se çfarë mund të bëjmë. Ne po ndjekim edhe kanalet diplomatike. Unë mendoj se ju duhet të shikoni këtë hapësirë”, mësohet të ketë thënë ministri.
Robert Jenrick paralajmëroi se migrimi i paligjshëm ka për të qenë problem për ‘shumë vitet që do të vijnë’ dhe se ministrat ishin dakord që nivelet e përgjithshme të njerëzve që hyjnë në vend ishin shumë të larta.
“Ne nuk mund të kemi një milion njerëz që hyjnë në vend në një vit dhe migrim neto prej gjysmë milioni thjesht nuk është i qëndrueshëm. Ajo për të cilën jam i shqetësuar është se ka njerëz që vijnë në universitete e përdorin si një mënyrë për të sjellë familjet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të qëndruar këtu për një periudhë të gjatë. Një numër shumë i konsiderueshëm njerëzish e përdorin këtë si një rrugë drejt një jete në MB”, tha ministri i Emigrimit.