Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se Shqipëria nuk do ta ndërpresë mbështetjen për muxhahedinët e strehuar në Shqipëri.
“Nuk kemi menduar të prishim marrëveshjen. Nëse ata do të qëndrojnë dhe i mbeten marrëveshjes për të qëndruar për qëllime humanitare, ne do t’i mbrojmë. Marrëveshja do të vazhdojë, por sigurisht duhet të ketë edhe një reflektim nga ata lidhur me sjelljen nga institucionet shqiptare. Sepse me veprimet që bënë sot treguan se nuk janë gati për të zbatuar ligjet në Shqipëri. Ne sigurisht do t’i mbrojmë, por presim që edhe ata të sillen brenda marrëveshjes që ata vetë kanë pranuar”, tha ministri.
I pyetur se çfarë kanë bërë konkretisht muxhahedinët, Çuçi tha: “Ata kanë aktivitet politik, por kjo gjë sigurisht ka qenë objekt i diskutimeve që kemi pasur në vazhdimësi me ata. Por lidhur me këtë çështje konkrete, është SPAK që duhet të prononcohet”.
Çuçi theksoi se nuk ka një marrëveshje të fshehtë mes qeverisë shqiptare dhe Iranit, siç është aluduar. Çuçi e quajti këtë një pretendim keqdashës, duke dhënë dy arsye përse nuk është aspak e vërtetë.
“Është pretendim i argumentuar dhe i pabazuar, e para sepse qeveria shqiptare nuk është ajo që ka ndërhyrë në kampin e MEK, por Gjykata dhe e dyta është qartë regjimi ynë ndaj Iranit, ne në vjeshtën e kaluar kemi ndërprerë marrëdhënien diplomatike me këtë regjim, aludimet janë keqdashëse”, tha Çuçi.
Ky reagim vjen pasi SPAK lëshoi urdhër për kontrolle në kampin e MEK, pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike. Për rrjedhojë, forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe forcat RENEA zbarkuan në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane.