Kreu i deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Presidentit Ilir Meta që t’u japë fund ngërçeve të dekreteve para nisjes se seancës parlamentare të pasdites së sotme.
“Të gjithë kandidatët e propozuar nga Kryeministri i plotësojnë kriteret dhe janë profesionistë. Meta nuk mund të sillet si kreu alternativ i opozitës. Shpresoj që Meta të ketë përgjigje brenda orës 17:00”, u shpreh Balla nga Elbasani.
Ai kërkoi që Presidenti të bazohet në Kushtetutë. Me kërkesë të Kryeministrit Edi Rama, Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, ku do të bëhet votimi i ministrave të rinj të kabinetit qeveritar.
Deri më tani emri i Edi Ramës si ministër i Jashtëm nuk është dekretuar ende nga Presidenti Ilir Meta, duke bërë që të mos përfshihet në votim. Meta nuk dekretoi Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, duke bërë që kryeministri Edi Rama ta marrë vetë drejtimin e ministrisë së Jashtme.
Meta e argumentoi refuzimin ndaj Cakajt, si gjënë e duhur që duhet të bëjë një kryetar shteti, pasi i riu nga Kosova sipas tij nuk ka përvojë dhe nuk dispononte deri para pak ditësh certifikatën e sigurisë.