Ministria e Financave do të nxjerrë në ankand pronat e 3 ish-firmave piramidale.
Ankandi do të mbahet më datë 13 shtator dhe bëhet fjalë për 14 prona të firmave Vefa, Kamberi dhe Beno të cilat kapin vlerën e 2 milionë dollarëve.
Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike pranë Ministrisë së Financave do të hapë këtë ankand për 9 prona të firmës Vefa përfshirë, 4 objekte të “Ish Sektori i Përpunimit te drurit” në Elbasan, tokë truall e “Ish Fabrikës së Salcës” në Fier, “Frigoriferi” në Rrëshen, “Ish Fabrika e Sallamit dhe Magazine Prodhimi” në Përmet, si edhe “Truall Depo Uji Nr. 1” dhe “Truall Stacion Pompimi” në Paskuqan.
Më pas do vazhdohet me pronat e Firmës Kamberi, “Ish Pularia” në Patos e cila është dhe prona më e shtrenjtë që kap vlerën rreth 100 mijë dollarë dhe një Linjë Prodhimi Sallami në Nartë të Vlorës.
Gjitashtu është edhe një pronë e Firmës Beno, një punishte sallami në Lushnje me vlerë rreth 80 mijë dollarë.
Këto janë pronat e paktat që kanë mbetur pas konfiskimit të ish-firmave piramidale dhe ndarjes së një pjese prej tyre.