Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mbledhur pasditen e sotme sërish Task-Forcën e ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore për koronavirusin COVID-19, ku u raportua situata e deritanishme në vendin tonë dhe masat e marra.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ku ndodhet laboratori i certifikuar që kryen analizën për koronavirus COVID-19, rezulton se janë testuar deri tani 8 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative. Ekspertët konfirmuan në mbledhjen e Task-Forcës se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit në vendin tonë.
Ministria thotë se vijon përforcimi i masave në pikat kufitare. Ndërkohë përfaqësuesit e Task-Forcës kanë bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.
Task Forca thekson se duhet të vijojë masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit. Gjithashtu siç është bërë me dije, nga komiteti teknik tashmë janë vlerësuar disa vende për karantinim, në rast se do të jetë e nevojshme.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në frymën e transparencës do të ketë komunikim të përditshëm me publikun, duke ftuar dhe qytetarët t’i referohen informacioneve zyrtare”, thuhet në deklaratën e ministrisë.