Asnjë person nuk rezulton i infektuar me koronavirusin Covid-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë thotë se deri tani janë kryer testime te 59 persona të dyshuar dhe tek asnjëri nuk është konfirmuar prania e virusit të ri.
Të gjithë personat e testuar deri tani kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit të ri. Personat e testuar, sipas Ministrisë, janë nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Fieri, Lezha dhe Vlora.
Sipas të dhënave të Njësive Shëndetësore kufitare, në 24 orët e fundit në të gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 23035 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë rekomandon për udhëtarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmure apo të dyshuar për COVID19 të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.