Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku paralajmëroi se qeveria është e gatshme t’i ndërpresë koncesionin aeroportit të Rinasit nëse nuk merr masat që i kërkohet.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Balluku u shpreh se grabitja e bujshme e parave në pistën e aeroportit, cënoi sigurinë kombëtare dhe dëmtoi imazhin e Shqipërisë në botë.
“Unë kam pasur sot një takim me presidentin e kompanisë Everbright Limited, ka ardhur dhe jemi takuar në zyrën time. Nuk e kam menduar të arsyeshme të takoj përfaqësuesit lokalë. I kemi lëmë disa detyra për sigurinë, duhen përmbushur, por jo si më parë. Nëse nuk i plotëson atëherë duhet të ndërmarrim masa ekstreme. Do ndërpresim koncesionin, pasi është kërcënuar siguria kombëtare. Kjo është një çështje që fitohet në gjykata, është cenuar imazhi i një vendi në ngritje. Ne kërkojmë të zgjidhim kontratën“.
Për sigurinë në perimetrin e aeroportit “Nënë Tereza”, ministrja Balluku delegoi përgjegjësinë tek kompania private.
“Për sigurinë e aeroportit mban përgjegjësi koncesionari, ai ia delegon atë kompanive të cilat ai i përzgjedh. Të gjitha problematikat janë bërë të ditura, problematikat janë adresuar. Koncesionari ka marrë dijeni, koncesioneri në rastet më të shumta ka bërë përmbushje bazike dhe më minimale të këtyre problematikave”.