Gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar 7 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë. Shifrat e përditësuara u bënë të ditura nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në Parlament.
Numri total i të infektuarve në Shqipëri është 773 persona, nga 766 që ishin një ditë më parë, duke u shtuar kështu me 7 raste të reja.
“Ne sot kemi rreth 272 persona të cilët janë aktivë, pra ndër 773 raste pozitive të diagnostikuara me COVID-19, 470 prej tyre rezultojnë të shëruar. Do të thotë që jemi ende në një fazë aktive të epidemisë, pavarësisht se jemi duke bërë atë përpjekje madhore në raport me hetimin agresiv kudo ku ka vatra të hapura të epidemisë. Sot konstatojmë rreth 100 vatra aktive në gjithë Shqipërinë, kryesisht vatra familjare dhe vatra në punë. Por ajo çka jemi duke bërë në territor është një hulumtim, një gjurmim epidemiologjik i cili po bëhet pa ndërprerje në 24 orë të ditës në mënyrë që të kemi mundësi të ndërpresim zinxhirin e infeksionit duke izoluar sa më shumë kontakte të mundshme.
Kjo është një punë shumë e madhe që ndoshta nuk arrihet do të shquhet nga të tërë dhe të vlerësohet nga të tërë, por puna që po bën gjithë sistemi epidemiologjik parësor në ndjekjen e rasteve aktive, gjithashtu në frontin e parë në spitalet Covid, është një punë fantastike e mjekëve, infermierëve, epidemiologëve dhe sistemit të Urgjencës Kombëtare, që treguan edhe njëherë se janë në lartësinë e detyrës dhe po bëjnë maksimumin për t’ia dalë edhe në këtë situatë ku jo të gjithë ja kanë dalë me sukses”, u shpreh ministrja Manastirliu.