Ministrja e Turizmit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro deklaroi se Parku i Butrintit nuk do të jepet me koncesion.
Nga Pogradeci, Kumbaro u shpreh se Ministria e Kulturës po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve për të rritur investimet në sitet kulturore.
“Nuk ka asnjë dhënie me koncesion të Parkut të Butrintit. Ministria e Kulturës me një ligj të posaçëm në bazë të ligjit të Trashëgimisë Kulturore të vitit 2018, po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve që prej vitesh është në fuqi siç janë krijuar shumë fondacione të tjera, është një mënyrë dhe hapësirë ligjore që ne na e jep ligji per trashëgiminë kulturore ose i OJF-ve për të rritur investimet ne sitet kulturore”, u shpreh ministrja.
Kumbaro nënvizoi se nuk bëhet fjalë për kontratë koncesionare, por për një marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Sipas saj, konkursi dhe marrëveshjet janë bërë publike në faqen e ministrisë.