Parlamenti kinez ka miratuar të enjten ligjin e ri të sigurisë për Hong Kongun, që e kthen në krim cënimin e autoritetit të Pekinit në territorin e rajonit autonom.
Ligji, që tani do t’i shkojë për miratim lidershipit kinez, ka shkaktuar shqetësime të thella mes atyre që thonë se mund t’i japë fund statusit unik të Hong Kongut.
Gjithashtu, ai mund të bëjë që Kina të instalojë agjencitë e saj të sigurisë në rajon, për herë të parë në histori.
Lëvizja ka shkaktuar ndërkohë një valë të re protestash kundër Kinës. Përleshje shpërthyen të mërkurën, teksa Parlamenti i Hong Kongut debatoi një ligj të propozuar, që do ta bënte krim mosrespektimin e himnit kombëtar kinez.
Disa qindra persona u arrestuan, ndërkohë që masat e sigurisë mbeten të larta, pasi debati në Këshillin Legjislativ vazhdon.
Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se zhvillimet e fundit në Hong Kong tregojnë se qyteti nuk ka më një shkallë të lartë autonomie nga Kina.
Kjo do të thotë se Hong Kongu nuk mund të meritojë më një trajtim ndryshe nga Kina në bazë të ligjit amerikan.
“Sot i raportova Kongresit se Hong-Kongu nuk është më i pavarur nga Kina, në bazë të fakteve në terren. Shtetet e Bashkuara janë përkrah popullit të Hong Kongut”, u shpreh me një mesazh në mediet sociale, kryediplomati amerikan, Majk Pompeo.
Deklarata mund të sjellë komplikime për statusin e vatrës tregtare të Hong Kongut dhe ka gjasa të acarojë Pekinin.