Numri dy i misionit të Shteteve të Bashkuara në OSBE, Harry Kamian, ka vlerësuar raportimin për Shqipërinë që ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt ka bërë.
“Faleminderit ambasador Borchardt për prezantimin e sotëm dhe prezantimin jo zyrtar të një dite më parë. Për më shumë se 20 vite, prania e OSBE në Shqipëri ka qenë thelbësore në përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës në drejtësi, dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. E vlerësojmë raportin tuaj të detajuar dhe të dorëzuar në kohën e duhur”, citohet Kamian në një njoftim për mediat.
“Përgëzojmë prezencën e OSBE në Tiranë për mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për reformat demokratike, veçanërisht pasi kjo po ndodh ndërkohë që në vend ka polarizim politik. Në përputhje me parimet dhe përkushtimet e OSBE, ne besojmë se është e rëndësishme që të mbështesim angazhimin politik të individëve dhe të drejtën e tyre për t’u mbledhur paqësisht”.
Numri dy i misionit amerikan në OSBE thotë gjithashtu se beson që kjo e fundit ka një mundësi unike për të bashkuar politikanët dhe opinion bërësit në Shqipëri për të arritur një reformë zgjedhore kuptimplotë.
Kamian flet edhe për Gjykatën Kushtetuese. “Shtetet e Bashkuara u gëzuan pas dëgjimit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mbetet ende punë për të arritur kuorumin për të pranuar çështje. E vlerësojmë punën e prezencës në këtë drejtim ndërsa i bëjmë thirrje që të ndihmojë në zbatimin e reformave shtesë”.
Mbështetja e misioniy amerikan në OSBE për Bernd Borchardt vjen pasi presidenti Ilir Meta e shpalli këtë të fundit “non grata” në Presidencë.