Në një deklaratë që misioni i Shteteve të Bashkuara në OSBE ka bërë për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri përgëzohet KQZ për një proces të mirëorganizuar dhe në mënyrë transparente, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia, apo zbatimi i teknologjive të reja.
Në deklaratë thuhet se në këto zgjedhje pati një aplikim të suksesshëm të Kodit të ri Zgjedhor dhe përgëzohet sistemi i ri elektronik i identifikimit të votuesve.
Por duke iu referuar raportit OSBE, SHBA thotë se partia në pushtet, kishte përparësi në zgjedhje për shkak të kontrollit në administratën lokale, keqpërdorimit të burimeve administrative. Një tjetër shqetësim që duhet të adresohet është konstatimi i OSBE për shitblerjen e votës.
SHBA përsërit se institucionet e drejtësisë dhe SPAK duhet të vënë para përgjegjësisë çdo individ, që shkel ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit për zgjedhje të lira e të ndershme.
Deklarata e plotë e misionit të SHBA në OSBE për zgjedhjet në Shqipëri:
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë popullin shqiptar për angazhimin e tyre aktiv në zgjedhjet e tyre parlamentare më 25 Prill. Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një procesi zgjedhor të mirëorganizuar dhe në mënyrë transparente, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia, apo zbatimi i teknologjive të reja.
Siç u përmend në raportin paraprak të ODIHR, shumica e pjesëmarrësve të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (IEOM) përgëzuan sistemin e ri elektronik të identifikimit të votuesve dhe e panë sistemin, si një mënyrë të lehtësuar për minimizimin e rrezikut të votimit të dyfishtë, atij familjar dhe falsifikimit të zgjedhësve. SHBA janë gjithashtu të kënaqur kur panë të gjitha partitë përkatëse të marrin pjesë në zgjedhje, hera e parë që ndodh, që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017-ë.
Përmirësimet në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë dhe pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm partish në zgjedhje, tregon angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e saj demokratik. Ndonëse kishte shumë aspekte pozitive në këto zgjedhje, Shtetet e Bashkuara duke iu referuar konstatimit të misionit të OSBE-së, kanë dalë në përfundimin se partia në pushtet, kishte përparësi në zgjedhje për shkak të kontrollit në administratën lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative.
Ne gjithashtu shikojmë konstatimin e tyre, se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbeten një problem dhe akoma më shqetësuese janë publikimi i të dhënave të qytetarëve, përfshirë edhe preferencat politike të votuesve. SHBA përsërit se institucionet e drejtësisë duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo individ, që shkel ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ne mirëpresim njoftimin e SPAK për hetimet e krimeve zgjedhore. SHBA shpreson se raportin përfundimtar të ODIHR Shqipëria ta përdorë për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore. SHBA do të vazhdojë të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti.