Kryesore Misteri i koronavirusit: Pse nuk i prek fëmijët? Shkencëtarët nuk dinë si...

Misteri i koronavirusit: Pse nuk i prek fëmijët? Shkencëtarët nuk dinë si ta shpjegojnë

Shkencëtarët janë ende duke hulumtuar në lidhje me epideminë e një lloji të ri të koronavirusit (2019-nCoV) që vijon të marrë me qindra jetë e të infektojë me mijëra, duke stopuar gjithë jetën në Kinë.

Por një nga misteret më të mëdha në lidhje me këtë virus është se fëmijët nuk preken nga ky infeksion, me shumë pak raste përjashtimore; deri tani vetëm katër.

Rastet e para u raportuan në 31 dhjetor të vitit të kaluar, por asnjë fëmijë nën moshën 15 vjeç nuk u infektua deri më 22 janar. Studimi, botuar në Gazetën e New England Journal of Medicine, thotë se fëmijët thjesht nuk janë të ndjeshëm ndaj infeksionit ose, nëse infektohen, tregojnë simptoma shumë të dobëta.

Që nga ajo ditë, vetëm katër raste të fëmijëve të infektuar janë raportuar: një vajzë 9-muajshe në Pekin, një fëmijë në Gjermani, babai i të cilit ishte infektuar, dhe një fëmijë në Shenzhen të Kinës, i cili nuk e kishte si simptomë të vetme.

Dy ditë më parë, autoritetet kineze njoftuan se dhe një foshnjë e porsalindur në Ëuhan ishte infektuar me koronavirus 30 orë pas lindjes: nëna e fëmijës është një paciente që po trajtohet për këtë sëmundje në një spital.

Kjo është e gjitha. Në shumicën e rasteve, fëmijët nuk janë të prekshëm nga koronavirusi.

“Nga gjithçka që kemi parë deri më tani, dhe për arsye që janë plotësisht të paqarta për ne, ky virus prek kryesisht të rriturit”, tha Richard Martinello, profesor i sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë Yale.

“Shumica e raporteve nga Kina vijnë nga spitalet e të rriturve dhe jo nga pediatrit”, thotë profesori mjaft i befasuar.

Ekspertët ndajnë mendimin se nëse fëmijët janë në një farë mënyre imun ndaj këtij virusi, kjo është një gjë shumë, shumë e mirë – sepse fëmijët nuk i lajnë duart aq shpesh, nuk i mbulojnë gojët dhe prekin të gjitha llojet e gjërave.

“E para, nëse mund t’i mbrojmë fëmijët, kjo është e shkëlqyeshme për ta, dhe e dyta, kjo është e shkëlqyeshme për popullatën”, tha Aaron Milston, epidemiolog dhe profesor i pediatrisë në Universitetin Johns Hopkins. “Nëse nuk godet popullata pediatrike (fëmijët), kjo do të zvogëlojë shumë epideminë.”

Simptomat e koronavirusit janë të ngjashme me ato të shoqëruara me pneumoni dhe grip: ethe, kollë, dhimbje koke, dhimbje të fytit dhe gulçim.

Lloji i ri i koronavirusit është jashtëzakonisht i ngjashëm me një tjetër të mëparshëm – SARS-in, i cili vrau 774 njerëz midis nëntorit 2002 dhe korrikut 2003, duke infektuar më shumë se tetë mijë njerëz.

SARS gjithashtu, për ndonjë arsye, “anashkaloi” fëmijët: kishte vetëm 80 raste të konfirmuara të fëmijëve me SARS. Në një raport të vitit 2007, ekspertë nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) deklaruan se fëmijët më të vegjël se 12 vjeç kishin simptoma shumë më të buta se të rriturit kur ishte fjala për SARS-in. As fëmijë dhe as adoleshentë nuk vdiqën nga SARS dhe vetëm një rast u raportua që një fëmije kishte transferuar SARS-in në një person tjetër.

Shkencëtarët ende nuk e dinë pse ndodh kjo.