Mes të prekurve nga e ashtuquajtura “sindroma e Havanës” janë edhe rreth 100 oficerë të CIA-s dhe familjarë të tyre. Drejtori i CIA-s, William Burns, e konfirmoi këtë gjatë një interviste në Radion Publike Kombëtare. Ai tha se CIA po heton mbi shkakun e sëmundjes misterioze, simptomat e të cilës janë kryesisht migrenë, marrje mendsh dhe humbje kujtese.
Në krye të njësisë që po heton sindromën e Havanës është vënë një oficer i lartë i CIA-s, i cili vite më parë ka drejtuar operacionin për kapjen e Bin Ladenit. Numri i personelit mjekësor të përfshirë në këtë ekip është trefishuar.
Sëmundja misterioze e mori emrin Sindroma e Havanës sepse fillimisht u raportua nga zyrtarët amerikanë me seli në ambasadën e SHBA në Kubë në 2016.
Burns thotë se një panel i Akademisë Kombëtare të Shkencave të SHBA-së në dhjetor zbuloi se një teori e besueshme për shkakun e saj mund të jenë rrezet e “energjisë së drejtuar”.
Ai tha se ka një “mundësi shumë e fortë” që sindroma të jetë shkaktuar qëllimisht dhe se pas kësaj mund të jetë Rusia, megjithatë për këtë duhet pritur përfundimi i hetimeve. Ndërkohë, nga ana tjetër Rusia hedh poshtë çdo mundësi përfshirjeje.