Kryesore Miti britanik i kapitenit Tom dhe mania jonë për të përbaltur gjithçka

Miti britanik i kapitenit Tom dhe mania jonë për të përbaltur gjithçka

Nga Çapajev Gjokutaj

Pak ditë më parë mediat britanike njoftuan vdekjen nga covidi të Sir Thomas Moore, 100 vjeç. Vetëm disa muaj para vdekjes, mbretëresha Elisabetë, në një audiencë personale, i dha titullin e kalorësit. Në fakt jeta e Moore, apo kapiteni Tom, siç njihet në Britani dhe më gjerë, vështirë se pati gjë heroike.

Për 99 vjet nuk ra në sy të medias dhe të opinionit publik. Bëri emër kur po mbushte shekullin dhe e arriti këtë me një veprim të rëndomtë, edhe ky larg heroizmës: 24 ditët e fundit para se të mbushte shekullin, u çapit në kopshtin e shtëpisë mbështetur në një stativ.

Kapiten Tomi i konceptoi ecejaket në kopsht si një fushatë për ngritje fondesh. Donte të mblidhte 1000 paund për llogari të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit (NHS) dhe të shprehte kështu mirënjohje për mjekët që e kishin ndihmuar të përballonte një sëmundje të rëndë. Ditën që mbushi 100 vjet, kishte arritur të mblidhte 32 milionë paund, ndihmë jo e vogël për NHS në kulmin e valës së parë të pandemisë.

S’është vështirë të vësh re se kapiteni Tom u shfaq në publik jo aq si një individ konkret, sa si simbol i kuruar me mjeshtëri, një lloj miti në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Në sendërtimin e tij u përfshinë një varg aktorësh si: media të shumta që i dhanë publicitet, këngëtari Michael Ball që regjistroi një këngë ku interpretonte dhe kapiteni, BBC Sport që i dha titullin ‘Personaliteti Sportiv i Vitit’, ministria e luftës që e gradoi kolonel nderi, një milionë e gjysëm qytetarë që mbështetën nismën, financiarisht, pesëqind mijë të tjerë që i dërguan kartolina ditën e përvjetorit të njëqind, mbretëresha që e bëri kalorës etj.

Kur sheh gjithë këtë pjesëmarrje nis e pyet veten: a ia vlen të mobilizohen kaq shumë individë e institucione thjesht për të kthyer në mit një njeri të zakonshëm? Dhe më tej: a është e moralshme të bësh hero një njeri të zakonshëm që s’bën ndonjë heroizëm? Edhe milionat që mblodhi kapiteni Tom, do shtonin cinikët, janë fryt i mediatizimit të qëllimtë dhe jo i çapitjes së një të moshuari në kopshtin e vet.

Gjithsesi milionat që mblodhi kjo nismë përbëjnë vetëm njërën anë të dobisë sociale, madje jo më të rëndësishmen. Shumë më e çmuar e më ndikuese ishte fryma që ngjalli procesi i krijimit të këtij miti.

Në kulmin e valës së parë të pandemisë qindra mijëra vetë u ndjenë të përfshirë ne një nismë bamirësie, kurse miliona të tjerë u grishën të shpresonin se mirësia, bamirësia e njerëzilleku do t’i ndihmonin, si individë e si bashkësi, që të përballnin të keqen.

2.

Kur sheh se si britanikët, aq të pasur me tradita e njerëz të shquar, pikasën një plak të zakonshëm dhe e kthyen në hero, nxitesh të meditosh marrëdhëniet që kemi ne me heronjtë dhe me mitet e reja. Ndryshe nga britanikët jemi popull i vogël e modest në tradita dhe rrjedhimisht nevojat për modele pozitive dhe heronj i kemi shumë më të forta. Kjo mungesë vjen e bëhet më vepruese edhe si pasojë e dy faktorëve të tjerë.

Prej dekadash sistemin e vlerave morale e kemi në krizë, rrjedhimisht modelet që nxisin kultivimin e tyre duhej të ishin shumë më të lakmuara. E dyta, pandemia që po zgjat prej një viti dhe akoma nuk i duket fundi, ka krijuar klimë angështie, pasigurie e frike. Përvoja historike botërore dëshmon se në situata të tilla njerëzit thuajse instinktivisht kërkojnë rrugëdalje dhe janë të prirur të pranojnë e të riprodhojnë narrativa me heronj e heroina, me modele që frymëzojnë dhe ngjallin shpresë.

Jo një herë gjatë kësaj pandemie është folur për punën dhe sakrificat e mjekëve dhe infermiereve që punojnë në spitalet covid, në tone të përgjithshme nuk kanë munguar edhe cilësimet vlerësuese, madje hera herës edhe idealizuese, por një model të personalizuar heroi nuk kemi arritur ta krijojmë.

Në vend të tij, brenda pak ditësh u bë popullore Tirja, sanitarja që u shtir si infermiere, mori një sasi të konsiderueshme paresh nga familjarët e një pacienteje dhe pastaj u tregua e pashpirt, deri në kufijtë e kafshërores, me të.

Në vend që të zbulonim, të kostruktonim dhe të qarkullonim heroin, u ndeshëm sa hap e mbyll sytë me figurën e keqbërësit që, si barërat e këqija rritet e përhapet vetiu. Po t’i besosh Jungut, si nevoja për heroin edhe ajo për keqbërësin janë të fuqishme se mbështeten në dy arketipe të trashëguara dhe mjaft të hasura. Fakti që shoqëri si kjo jona priren më shumë nga keqbërësi sesa nga heroi nuk lidhet me psikologjinë, por me kontekstin social.

Jemi vend i vogël, me hapësira të ngushta, ku gjithsecili njeh gjithsecilin me libër shtëpie e me inventar katandie. Ky mund të jetë njëri nga shkaqet pse jemi të prirur të mos i pranojmë figurat publike apo, akoma më keq, t’i përbaltim e t’i zhbëjmë.

Zullumit të vendit të vogël i shtohet edhe varfëria. Nuk mjafton që hapësirën gjeografike e kemi të ngushtë, po kaq të ngushtë dhe asfiksuese e kemi pasur dhe e kemi edhe hapësirën ekonomike. Në rrethana të tilla, kur të mirat materiale e shpirtërore janë me pakicë dhe s’mjaftojnë për të gjithë, hyjnë në punë më shumë përjashtimi e sesa meritokracia, kurse përbaltja ia zë vendin inkurajimit e vlerësimit.

Sikur të mos mjaftonin gjithë këto pengesa me rrënjë në të shkuarën dhe degë e gjeth’ në të sotmen, vjen e shtohet edhe një tjetër faktor pengues, tërësisht modern. Është fjala për mediat dhe modën e njerëzve të shquar, celebrity-ve, që ato po kultivojnë.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, shumica e ikonave të famshme që ofrojnë mediat vijnë nga sporti, argëtimi dhe politika. Një pjesë e mirë e këtyre janë të famshëm, jo për vlera dhe kontribute, por thjesht sepse të tillë përvijohen nga mediat.

Natyrisht moda e njerëzve, që bëhen të famshëm vetëm e vetëm se duhen njerëz të famshëm, është dukuri botërore. Po ndër ne ka një specifikë: personazhe të tillë i gjen me shumicë jo vetëm në mediat rozë, por edhe në ato më seriozet.

Si në shumë fusha të jetës akoma nuk kemi arritur të vëmë kufij mes bodrumit të shoqërisë dhe kateve të banuara, përzihen e bashkëjetojnë në mediat tona edhe njerëz, edhe minj. Popullariteti mediatik nuk para pyet për vlerat, i rëndësishëm është sensacioni, klikimet, audienca.

3.

Kur thekson nevojën që kemi si shoqëri për heronj e modele pozitive, për t’i pikasur qoftë edhe si embrion dhe pastaj për t’i rikonstruktuar e qarkulluar përmes mediave, mund të zgjosh reagime moraliste dhe racionaliste.

Ne akoma nuk jemi çliruar nga mitet me pellazgë e stërgjyshër të lavdishëm, do qortonin këta, kurse ti kërkon mite të reja. Dhe pastaj mund të shtonin se mitet e zanafillave të lavdishme  janë thjeshtë mburrje që krijojnë megallomani dhe ikje nga problemet e kohës, kurse mitet e reja kallaisin realitetin ekzistues dhe i shërbejnë pushtetit të radhës.

Dhe në një pikëvështrimi do të kishin të drejtë. Vetëm se duam s’duam ne mitet, si instrumenta që rikonstruktojnë modele e heronj janë dhe pas gjasash do të vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë. Mund të mbyllim sytë e të mos i shohim, por ato janë e do të vazhdojnë të jenë rreth nesh.

Me sa duket mediat, bizneset, tregu nuk bëjnë dot pa to, ndaj i krijojnë dhe i bëjnë publike pa ndërprerje. Problemi është se në një shumicë rastesh këta heronj, zakonisht politikanë, sportistë, aktorë etj. , nuk kthehen në modele për virtytet që kanë dhe vlerat që promovojnë, po për rrobat që veshin, këpucët që mbathin dhe sidomos për batutat dhe sharjet që artikulojnë.

Të velur nga këta lloj heronjsh dhe të dogëndisur nga Tiret njerëzit dhe sidomos të rinjtë tjetërsohen përditë e më shumë me realitetin social dhe përdorin këmbët si mjet të vetëm për t’i shpëtuar frymës depresive.