Ekonomia është kryefjala e çdo deklarate dhe dalje publike të kryeministrit grek, Qiriakos Mitsotaqis.
“Vendi ynë ka hyrë në një kapitull të ri. Zhvillimi ekonomik është sfida jonë e parë, nga e cilat duhet dhe do të dalim fitues. Suksesi i Qeverisë tonë do të matet tek kjo sfidë. Ne do të reduktojmë papunësinë, krijojmë vende të reja puna dhe përmes tyre do të përmirësojmë të ardhurat për qytetarët tanë”, deklaroi ai në fjalën e mbajtur gjatë pjesëmarrjes në një panair në qytetin e Selanikut.
Kabineti i drejtuar prej tij ka një program që parashikon një sërë lehtësish fiskale dhe burokratike, sidomos sa i takon biznesit, ku premtohet heqja e masave kufizuese dhe kontrolluese të kapitalit, të vendosura në fuqi pas shpërthimit të krizës financiare greke dhe uljen e taksës për pasuritë e paluajtshme.
Paralelisht me këto, programi ambicioz i partisë konservatore greke, që erdhi në pushtet në zgjedhjet e fundit duke mposhtur Syriza-n e Aleksis Tsipras është edhe modernizimi i administratës shtetërore, digjitalizimi i saj, që Mitsotaqis thotë se do të ulë korrupsionin dhe kostot financiare për buxhetin e shtetit.
Megjithatë, sindikata të punëtorëve janë hedhur menjëherë në protesta simbolike, me paralajmërimin e përshkallëzimit të tyre. Sindikatat kërkojnë rritje pagash dhe pensionesh, kushte me të mira pune dhe të drejta më të zgjeruara sociale, tema për të cilat flitet pak, ose aspak në qeverinë e re greke.
Në vend të tyre, qeveria e Demokracisë së Re është përqëndruar më fort në objektivin që i ka vendosur vetes për rigjallërimin e ekonomisë. Ajo premton hapa dhe vendimmarrje konkrete për të lehtësuar kapitalet e biznesit vendas dhe të huaj, si pjesë e strategjisë për të tërhequr investime të reja. Pjesë e programit janë edhe disa privatizime të shërbimeve dhe punëve që aktualisht ofrohen nga shteti grek.