Ish-presidenti amerikan Barack Obama, nismëtari i skemës mbrojtëse për emigrantët e rinj, e quajti “një mizori” vendimin e administratës aktuale për mbylljen e programit që mbulon rreth 800 mijë vetë.
Përfituesit aktualë të saj nuk do të kenë probleme edhe për 6 muaj, koha e lënë në dispozicion Kongresit për gjetjen e një zgjidhjeje alternative, nëse kërkon t’i mbrojë në vazhdimësi ata të qëndrojnë në SHBA, pasi prindërit i çuan atje ilegalisht.
Por, gjatë kësaj periudhe nuk do të mund të bëhen më aplikime të reja.
Duke iu drejtuar Kongresit, Obama e cilësoi lëvizjen e Trump sa mizore, aq edhe të gabuar. Falë skemës së aprovuar prej tij 5 vite më parë, të ashtuquajturit “ëndërrimtarë”, shumica latino-amerikane ishin në gjendje të siguronin punë dhe leje studimi.
Por administrata e Trumpit argumenton se programi, për zbatimin e të cilit Obama anashkaloi aprovimin e Kongresit, është antikushtetues. Policia në Nju Jork arrestoi me dhjetëra vetë, kur një grup i madh protestuesish u mblodhën përpara kullës “Trump” për të kundërshtuar vendimin e tij, megjithatë nuk pati episode dhune. Protesta pati edhe në pjesë të tjera të vendit.
Reagimet nuk erdhën vetëm nga njerëzit e thjeshtë. Dy senatorë të partive rivale, demokrati Richard Durbin dhe republikani Lindsey Graham dolën bashkë në një konferencë për shtyp, ku apeluan për një legjislacion të mbështetur nga të dyja palët, i cili t’i ndihmojë të rinjtë e kësaj kategorie.
“Akrepat e orës po ecin, – tha Durbin, – dhe që të bësh gjënë e duhur në këtë situatë do të thotë të kujdesesh për këta fëmijë”.