“Në spitalet COVID vijon beteja e përditshme për jetën, në përballje me një virus të rrezikshëm që nuk bën dallim dhe po prek edhe të rinj, që sot po marrin trajtim në spital”.
Kështu u shpreh sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ndau apelin ndërgjegjësues të dr. Migena Qatos, se çdokush mund të japë kontributin për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
“Prej më tepër se 5 muajsh po përballemi me një pandemi të përmasave që kurrë më përpara nuk ishim përballur. Sigurisht që ditët e fundit kanë qenë jo të lehta për ne, pasi kemi evidentuar se numri i rasteve është shtuar në mënyrë të konsiderueshme dhe jo vetëm kaq. Po përballemi me pacientë të moshave delikate, të grupmoshave të treta, me sëmundje bashkëshoqëruese, por tani dominojnë për fat të keq edhe moshat e reja të cilat kanë qenë të paprekura nga sëmundje të tjera më përpara”, tha dr. Qato.
Ndaj, ajo bëri apel që të jemi shumë, shumë të kujdesshëm. “Të ruajmë distancimin social, të ruajmë masat e higjienës personale, sepse tanimë COVID-i nuk ka më preferenca në moshë, nuk ka preferencë në subjekte të caktuara. COVID-i nuk po kursen asnjë subjekt të popullatës. Ndaj jini të kujdesshëm, mbroni veten dhe të afërmit tuaj”, tha Qato.