Mjeke dhe studiuese postdoktorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Juna Musa tha mbrëmë në emisionin “Opinion” se nga hulumtimet dhe gjykimet e saj në qarkullim duhet të ketë më shumë se 1 shtam të virusit COVID-19.
Ajo shpjegoi se shtami që është në qarkullim në Shqipëri është i ndryshëm nga ai që qarkullon në Francë dhe Itali, ndërsa pohoi se dyshon që pacienti zero është shumë më herët nga sa thuhet.
“Doja të shtroja një mendim timin, personal, mbase edhe të doktorëve të tjerë që nuk kanë arritur ta shprehin. Nëse ky virusi do ishte kaq letal, vendi i parë që do të prekej sipas mendimit tim do të ishte Afrika. Përse Afrika? Sepse është vend i varfër, nuk ushqehen mirë, ka ndotje masive. Përse nuk është prekur Afrika? Vende si India, Bangladeshi?
Kam menduar dhe hulumtuar mbrëmë dhe arrita në një konkluzion, kam bërë dhe një grafik. Unë mendoj që virusi ekziston, po përse shpërndarja e vdekshmërisë është e ndryshme? Ça e bën këtë virus të jetë kaq letal? Dhe përgjigja ime është, multifaktorial. Mendoj dhe hedh si hipoteze se ka më shumë se një shtam në qarkullim. Mendoj se janë deri ne 5 shtame dhe në varësi të shtamës kemi dhe vdekshmërinë. Unë mendoj që i njëjti shtam ka qarkulluar në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, që në nëntor. Unë nuk e besoj në teorinë që pacienti zero ka qenë në shkurt apo në mars”, tha Musa.
Mjekja shqiptare, deklaroi se ajo vetë beson që është prekur nga koronavirusi, që në muajin dhjetor.
“Unë e kam patur virusin që në dhjetor. I jam nënshtruar disa analizave dhe do të bëj një titrim të antitrupave. Dhe jam konsultuar edhe me mjekë të familjes në Shqipëri dhe ndajmë të njëjtin mendim, pacienti zero ka qenë më përpara. Ne kemi një shtam, që mendoj se është i ndryshëm nga ai që është në qarkullim në Itali dhe Spanjë. Ndikon siç e thashë edhe vaksina e tuberkulozit”, u shpreh ajo.