Aktualitet Mjeku Arjan Mezini: Agresiviteti i virusit ka rënë, por më shqetëson kjo...

Mjeku Arjan Mezini: Agresiviteti i virusit ka rënë, por më shqetëson kjo gjë

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 në tre ditët e fundit në Shqipëri ka shqetësuar jo pak qytetarët. Mjeku pneumolog, Arjan Mezini i pranishëm në studion e “Ilva Now” tha se ajo që e shqetëson më tepër lidhet me faktin e infektimit të personelit mjekësor në QSUT. Ai u shpreh se rastet e sotme të raportuara me COVID-19 janë të lehta dhe nuk ka arsye për shqetësim.

“Ajo që më shqetëson sot është infektimi në QSUT, ku me sa di unë shkak është bërë një infermiere, e cila e ka transferuar tek të tjerët, kjo është problematike. Duhet bërë maksimumi i mundshëm në kuptimin e vigjilencës, sidomos tek personeli mjekësor. Ky është një shkak, por unë do të kthehesha pas në kohë. Ne nuk kemi një kurbë të qartë, ndoshta për shkak të testimeve të pakta që janë bërë dhe po ashtu prej masave izoluese, që kanë qenë shumë shtrënguese. Po të vini re ditët e fundit, të infektuarit kanë qenë persona asimptomatikë, sepse shtrimet në spital kanë qenë me gishtat e dorës. Rastet e sotme janë raste të lehta, që tregon se agresiviteti i virusit ka rënë”, tha ai në Euronews Albania.

Mjeku thekson se ka ikur faza e aplikimit të masave shtrënguese, ndërkohë bëri thirrje për ruajtjen e distancës dhe respektimi i protokolleve të higjienës personale.

“Për mua jemi në një fazë që po e mbyllim këtë fazë të parë. Personeli mjekësor nuk duhet të humbasë vigjilencën. Nëse njerëzit tolerojnë, personeli mjekësor nuk duhet ta lejojë. Masat kanë qenë paksa të çorientuara, ka ikur koha e masave shtrëngues, ajo që duhet të bëjmë është edukimi i njerëzve, të ruajnë distancën dhe higjienën personale. Sot u bënë 9 ditë që spitali “Shefqet Ndroqi” ka kaluar në normalitet, por nuk kemi parë ndonjë trend, që mund të na shkaktojë frikë”, theksoi ai.

Ai theksoi se për të kuptuar më mirë situatën e përhapjes së pandemisë në Shqipëri duhet të ishin bërë më shumë testime. Pavarësisht situatës, mjeku Mezini shprehet se, agresiviteti i virusit ka rënë dhe stina e pranverës favorizon imunitetin e qytetarëve.

“Kjo puna e testimeve do edhe një bazë financiare, por ne mund të kishim testuar sa Maqedonia e Veriut, ku unë di se ka bërë trefishin tonë. Duhet të kishte më shumë testime. Këto ditë do të dalë një studim i spitalit të Breshias, i cili po vërteton se agresiviteti i këtij virusi ka rënë. Ne duhet të kuptojmë se jemi në pranverë, dhe ajri i pastër vetëm e rrit imunitetin tonë, mbyllja bën të kundërtën. Unë besoj se do të kemi një vaksinë, premisat janë optimiste dhe besoj se fillimi i vitit tjetër do të kemi një vaksinë dhe po punohet shumë fort. Shenjat janë të mira”, theksoi ai.