Mjeku epidemiolog Alban Ylli ka komentuar situatën e krijuar në vend, pas përhapjes së COVID-19. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, mjeku epidemiolog tha se përhapja e COVID-19 kalon në dy faza.
Faza e parë sipas tij dyfishon numrin e të infektuarve çdo pesë ditë, kurse faza e dytë thekson doktori rrit eksponencialisht në çdo dy apo tri ditë numrin e të infektuarve. Ai theksoi se shteti fqinj i Italisë dhe shumë vende të Evropës Perëndimore ndodhen aktualisht në fazën e dytë. Sipas epidemiologut, Shqipëria ndodhet shumë pranë fazës së dytë, por ai beson fort në faktin se masat e aplikuara prej autoriteteve për distancimin social do të japin impakt pozitiv në uljen e kurbës së epidemisë.
“Duhet të theksojmë se çdo epidemi në secilin vend ndjek linja karakteristike, por megjithatë ka diçka që i bashkon ato. Pas fazës së parë, ku rastet fillojnë të përhapen në popullatë me një ritëm, i cili dyfishohet çdo pesë ditë, vjen një fazë e dytë që quhet faza eksponenciale e epidemisë gjatë të cilës rastet dyfishohen çdo dy apo tri ditë. Pra, kjo është faza ku ndodhet sot Italia dhe shumica e vendeve të Evropës perëndimore. Shqipëria duket se është afër kësaj faze, por unë shpresoj që masat drastike të marra në vendin tonë për distancimin social kanë filluar në kohën e duhur dhe ndoshta ne do të kemi mundësi të shohim një qarkullim të ngadalësuar të virusit dhe zbutje të kurbës se epidemisë, nga njëra ana për të shpëtuar jetën e individëve dhe nga ana tjetër për të ulur stresin mbi sistemin shëndetësor”, tha ai.
Gjithashtu mjeku ka dhe një apel të fortë për të gjithë qytetarët, ku kërkon prej tyre respektimin me rigorozitet të të gjithë rregullave të caktuara nga autoritetet shtetërore
“Është thelbësore për sot të zbatohen masat, sepse kjo do të bëjë të mundur që kurba e epidemisë në Shqipëri do të ndjekë një profil të ndryshëm nga ajo që vihet re në Itali”, shtoi ai.