Zyrtarisht koronavirusi i ri Covid-19 mbërriti në Shqipëri, duke shënuar edhe dy rastet e para të prekur nga ky virus. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë në faqen zyrtare, mbrëmjen e djeshme.
Dy personat e prekur janë babë e bir. Bëhet fjalë për një 28-vjeçar, i cili ka udhëtuar nga Firence në Shqipëri në rrugë tokësore dhe pas kontaktit ka infektuar edhe babanë, 54 vjeç.
Për të qetësuar qytetarët, por edhe për të sjellë edhe njëherë në vëmendje kujdesin që duhet të bëjmë për t’u mbrojtur nga infektimi, të ftuar në programin “Rudina”, në TV Klan këtë pasdite ishte i ftuar mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.
Në lidhje me gjendjen aktuale të dy personave të parë të konfirmuar me koronavirus, mjeku infeksionist shprehet se ajo është stabël dhe ata po përpiqen të marrin trajtimin më të mirë të mundshëm.
Pëllumb Pipero: Jemi në ditët e para të shfaqjes së sëmundjes tek personat. Jemi brenda atyre që eksperienca e vendeve fqinje ose Kinës na ka mësuar, që ka qenë një periudhë inkubacioni më shumë se 7-8 ditore, pra afro 2 javë për djalin dhe më pak se 10 ditë për të atin, se ky është momenti kur ka kontaktuar me të atin.
Situata e tyre është stabël, është nën kontroll, me shenja tipike jo vetëm klinike, por edhe radiologjike të kësaj sëmundjeje, por natyrisht jemi në ditët e para dhe do presim të shohim si do jetë ecuria e tyre sepse ju tashmë e dini që për këtë virus nuk ka një mjekim specifik dhe mjekimi mbetet suportiv.
Janë marrë të gjitha masat që në respekt të fakteve që na ka sjellë eksperienca e vendeve të tjera, veçanërisht e Kinës dhe Italisë, që dy personat e konfirmuar pozitiv, të marrin jo vetëm trajtim suportiv, por edhe trajtime që kolegët tanë i kanë përdorur në vendin e tyre. Po përpiqemi të marrim trajtimin më të mirë të mundshëm aktual të shëndetësisë kudo në botë.