Mjeku Arben Gjata deklaroi për televizionin A2 se do të jetë i rrezikshëm momenti kur të lirohen në të gjithë vendin masat shtrënguese.
“Momenti kur të hapet vendi është shumë i rrezikshëm, qytetarët duhet të kenë parasysh masat e distancimit social. Ne e kemi më të vështirë të përshtatemi me këtë mënyrë të re jetese, por duhet ta bëjmë derisa të zhduket kjo epidemi”, theksoi Gjata.
Gjithsesi, mjeku nënvizoi se shpreson që kjo të jetë fundjava e fundit e izolimit. “Ndoshta mund të hapen fasha orare për lëvizje të grupeve të ndryshme të popullatës gjatë javës që vjen dhe shpresojmë që kjo të jetë fundjava e gjatë e fundit e karantinimit total të popullatës”.
Kur u pyet për një valë të dytë të koronavirusit, Gjata theksoi: “Shumica e vendeve që flasin për valë të dytë, e kanë fjalën për periudhën e dimrit, kur ka dhe viroza të tjera. Të shpresojmë që deri atëherë të kemi vaksinën. Testet kanë nisur dje në Britani. Do një periudhë 2-mujore për provat klinike dhe pastaj verifikohet nëse është ajo e duhura për të nisur përdorimin e gjerë në popullatë”.
Në lidhje me burgjet dhe fasoneritë, vatrat e reja të Covid-19, Gjata tha se aty “ku ka grumbullime masive, risku është më i madh”.