Aktualitet Mjeku Kalo tregon për gjendjen e 4 pacientëve që janë në terapi...

Mjeku Kalo tregon për gjendjen e 4 pacientëve që janë në terapi intensive

Në kushtet kur numri i të prekurve me virus COVID-19 po shtohet dita ditës, mjeku Tritan Kalo apelon se masat ekstreme kufizuese për qytetarë janë ndihma kryesore për ta kaluar me sa më lehtë këtë situatë.

Sipas tij, lajmet pozitive për shërim të disa të prekurve, nuk duhet të na gëzojnë, pasi ditët në vijim janë të mbushura plot me të panjohura.

“Nuk janë zbuluar të fshehtat e saj, pas një vale qetësie mund të vijë një valë tjetër, pra pas një vale të lehtë mund të vijë një dallgë më e madhe,  kësaj po i ruhemi. Masat e marra në lidhje me distancimin social, mund të forcohen më tepër se është e vetmja mundësi efikase për të ulur vrullin e përhapjes së virus. Nëse do tregoheshim liberal, ne rrezikojmë që të na shfaqen skenarë të ngjashme si Italia, Spanja, Britania, që në një fazë të dytë popullit të na thotë “se mirë që na e bën se na shpëtoi”, tha Kalo.

Mjeku i bën apel edhe atyre pacientëve që kanë lënë spitalin që të respektojnë afatin prej 14 ditësh për të qëndruar në shtëpi. Kalo ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e katër pacienteve që janë në terapi intensive në spital.

“Duke dalë nga një mjedis i izoluar në një mjedis social ku nuk qarkullon vetëm COVID-19, por edhe infeksione të tjera, nuk janë të imunizuar dhe mund të bëhen pre e këtyre infeksioneve, çka e detyron ose krijon një mosbesim të plotë të shërimit të tyre. Distancim social është shumë i rëndësishëm, të mos bëhen pre e një mbiinfeksioni tjetër. Të sëmurit janë gjendje mesatarisht të rëndë, por që e kanë të domosdoshme qëndrimin në terapi intensive se në çdo moment mund të cedojnë”, shtoi Kalo.