Videoja me mjekun Pëllumb Pipero teksa u shpall “Qytetar Nderi” në Skrapar, duke u përqafuar me të pranishmit, shkaktoi reagime në rrjetet sociale. Sot ai kërkon një ndjesë publike për mos respektimin e masave anti-Covid dhe thotë se është një shembull për t’u evituar.
Në intervistë për Report Tv, mjeku Pipero tha: “Ishte një gabim që duhej evituar. Duhet të ishim treguar më të kujdesshëm. Emocionet ishin shumë të mëdha. Është një shembull që nuk duhej të ishte ndjekur. Një ndjesë publike për atë që ndodhi. Duhej ta kishim shmangur”.
Lidhur me situatën aktuale me koronavirusin, Pipero tha se shqetësim nuk është numri i lartë i të infektuarve, por numri i lartë i të shtruarve në spital. Ai tha se spitalet kanë kapacitetet e nevojshme por theksoi se nuk është e dëshirueshme që ata të përdoren 100%.
“Kemi thënë që do të kishte luhatje. Edhe pse është një virus respirator ajo nuk reagon njësoj ndaj temperaturave. Përgjithësisht specialistëve nuk na shqetësojnë rastet pozitive që dalin çdo ditë, por pacientët e shtruar. Ne nuk na mungojnë kapacitetet. Ajo që dëshirojmë është që të mos i përdorim 100 përqind kapacitetet. Duhet ta parandalojmë. Ne duhet t’i këshillojmë që të bëjnë sërish kujdes pasi virusi vijon të jetë prezent. Të moshuarit dhe ata me probleme kronike janë akoma më të rrezikuar. Është ende herët të flasim për shkollat, duhet të kalojë të paktën 3 javë që të themi tamam. Hapja e shkollave është një hap i mirë që tregon hapjen e jetës. Por normalisht të respektohen masat”.