6 gola në 5 takime kanë bërë të harrohet shumë shpejt Higuain. Impakti i polakut Piatek tek kuqezinjtë po rezulton gjithnjë e më shpërthyes. Ish-“bomberi” i Genoas mund të krahasohet tashmë lehtësisht me sulmuesit më të mirë në historinë e klubit milanez, por polaku nuk është nga ata që vetëkënaqet.
“Nëse do të kisha të gjitha cilësitë që mediet po më atribuojnë, do të isha lojtari më i mirë në histori. Uroj shumë që ky Milan t’i rikthehet lavdisë falë kontributit tim dhe një ditë të jem vërtet i denjë për të gjitha krahasimet që po më bëjnë. Personalisht, mendoj se shumë prej titujve mediatikë janë të ekzagjeruar, mirëpres vetëm një pjesë të tyre. Sigurisht që jam i lumtur për golat që kam realizuar dhe ecurinë time, por jo për faktin se falë tyre kam gjetur edhe kopertinat”.
Klimë pozitive në organikën e kuqezinjve me blerjen tjetër të Milanit në janar, Paquetan, me të cilin Piatek ka gjetur menjëherë gjuhën e përbashkët.
“Është një lojtar me të cilin kuptohem shumë mirë dhe që disponon cilësi të mëdha teknike. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj shkojmë mirë, mund të përmend emra të tillë si: Calhanoglu, Bakayoko, Paquetà, Kessie, Rodriguez dhe Borini”.
Vetëm 23 vjeç, por Piatek tregon se ka një pjekuri të madhe.
“U largova nga Polonia në çastin kur e ndjeva veten gati për të përballuar sfidat e reja në të gjitha aspektet, fizike, psikologjike dhe teknike. Mund ta kisha marrë edhe më parë këtë vendim, por nuk pendohem që e bëra një vit me vonesë. I dhashë vetes kohë për të qenë gati dhe i sigurt. Sa i takon përfaqësueses polake, ekziston një klimë shumë e mirë dhe për mua është kënaqësi puna me Lewandowskin dhe Milik, ndoshta edhe pse jemi sulmues me karakteristika të ndryshme.”