Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka mbërritur në Maqedoni dhe i ka dhënë një ultimatum direkt presidentit maqedonas Gjorge Ivanov, duke i kërkuar që të rikthejë vendimin për të mos mandatuar Zoran Zaevin, si drejtuesin e partisë së dytë të renditur në parlament, por që ka siguruar shumicën parlamentare për të qeverisur.
Kryediplomatja europiane ka hequr dorezat diplomatike dhe ka folur troç në Shkup.
“Kërkojmë nga presidenti Gjorge Ivanov që të mos shkelë parimet themelore të demokracisë, dhe të reflektojë e të ndryshojë vendimin që i refuzon mandatimin Zoran Zaevit, liderit të partisë së dytë fituese në zgjedhje,” ka deklaruar ajo.
Më herët, Mogherini u takua edhe me Zoran Zaevin, i cili tha se kishte marrë garancitë dhe përkushtimin e Bashkimit Europian për të ardhmen demokratike të Maqedonisë.
Kriza politike në Maqedoni u përshkallëzua të mërkurën pas vendimit të presidentit vendas për të refuzuar mandatimin e Zaevit. Ky i fundit ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve, përfshirë ata shqiptarë, për formimin e qeverisë së re.
Ivanov e justifikoi refuzimin me “rrezikun që paraqet për pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë platforma e partive shqiptare”.