Ish-presidenti Alfred Moisiu ka folur mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Përballë’ për procesin e Reformës në Drejtësi, duke komentuar dhe shprehjen e tij ‘rakisë iu hodh uji‘.
I pyetur nga gazetari Lutfi Dervishi, Moisiu u shpreh se në procesin e Reformës nuk duhet të kishte ndërhyrje nga politika, pasi ajo e bën pis po u fut.
Mirëpo sipas ish-presidentit, pas ndërhyrjeve të partive për kandidatët e organeve të reja, rakisë iu hodh uji dhe ajo u zbut.
‘E kam ndjekur Reformën. Është bërë një Reformë e mirë me ndihmën dhe të ndërkombëtarëve. Ndihmesë dhanë dhe juristët tanë. Në kohën që është bërë Reforma kam kërkuar që politika të qëndronte larg. Se po u fut politika e bën pis procesin. Me ndërhyrjet që u bën, rakia u zbut, asaj iu hodh uji’, tha Alfred Moisiu.
Ish-presidenti ka komentuar dhe vendimin e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, për të dalë nga Parlamenti duke djegur mandatet. Moisiu u shpreh se PD është forca me e madhe opozitare, por ka shembuj në botë që dhe parti të mëdha janë zhdukur.
Sakaq, ish-presidenti ka theksuar se politikanët që u tërhoqën nga mandatet, duhet të krijojnë një klimë mirëbesimi me politikanët që kanë mbetur në skenë.
“PD forca më e madhe opozitare politike. Por ne kemi shembuj në botë që parti politike janë zhdukur. Puna është që pavarësisht se këta politikanë u tërhoqën, kanë detyrë për hir të kontributeve që kanë dhënën, të paktën të ndihmojnë për të krijuar një klimë mirëbesimi me politikanët që kanë mbetur në skenë”, u shpreh Alfred Moisiu.