Deputetja Monika Kryemadhi tha se Dorian Duçka, i cili është përmendur nga Sali Berisha si person i përfshirë në dosjen amerikane për ish zyrtarin e lartë të FBI-së Charles McGonigal është kushëriri i Ilir Metës.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga Kuvendi ajo tha se Duçka ka kontribuar në shkollimin e Ilir Meta duke theksuar ndër të tjera se ai është dhe djali i dajës së Etilda Gjonajt.
“Dorian Duçka është djali i dajës së Etilda Gjonajt siç është edhe djali i hallës së Ilir Metës. Sa ishte në LSI zv.ministër nuk merrej as me korporatat kineze, as me arabët, as me Agron Nezën, por ishte djalë që kishte mbaruar studimet jashtë shtetit dhe ishte korrekt. Kur Rama e ftoi këshilltar pa para, sigurisht edhe Duçka u bë një lobist që vazhdonte e bënte porositë e Ramës jo vetëm në Amerikë, por edhe në Gjermani e Austri. Megjithatë është shumë më afër me Etilda Gjonajn se me Metën pavarësisht se Meta mund të ketë kontribuar shumë në shkollimin e tij”, tha Kryemadhi.
Në reagimin e saj, Kryemadhi kërkoi reagimin e faktorit ndërkombëtar në Shqipëri ndaj Edi Ramës, e cila sipas tij ka korruptuar gjithçka me paratë e vjedhura nga shqiptarët.
“Tribunën e Kuvendit e ka bllokuar Lindita Nikolla, me urdhër të Edi Ramës. Si deputete e thjeshtë është e disata herë që na hiqet e drejta e fjalës. Një kryetare Kuvendi që nuk menaxhon dot sallën, le ta zëvendësojnë dhe të vënë Taulant Ballën. Rama të thotë pse ka frikë kur është kaq i pastër në këtë histori korrupsioni. Dua të shoh të gjithë ata ndërkombëtarë që na kanë treguar peshqit e mëdhenj dhe peshqit e vegjël që na kanë treguar se çfarë ndodh me korrupsionin në Shqipëri, a mund të na tregojnë se çfarë ndodh me të korruptuarin Edi Rama, i cili vjedh para dhe paguan për të korruptuar institucionet ndërkombëtare për të kapur parlamentarizmin dhe gjithçka”, tha Kryemadhi.