Ecuria e Juventusit në muajin e fundit ka lënë shumë për të dëshiruar. Bardhezinjtë fillimisht u eliminuan nga Porto në raundin e 1/8-ave të Champions League, duke hequr dorë nga objektivi madhor këtë sezon, ndërkohë që në Serie A është 10 pikë larg Interit kryesues. Një nga lojtarët e afruar me më shumë bujë te Juventusi gjatë verës së kaluar, Alvaro Morata, mund të largohet sërish në fund të këtij sezoni, pasi në muajt e fundit nuk i ka përmbushur aspak pritshmëritë e drejtuesve dhe stafit teknik dhe Juventusi mund të mos e blejë kartonin e tij nga Atletico Madrid. Por pavarësisht momentit jo, Morata ndihet mirë te bardhezinjtë dhe shpreson të qëndrojë siç ka theksuar vetë ai në një intervistë.
“Kur je në huazim te një klub, mendimi jot vlen pak. Unë isha i lumtur te Atletico Madrid dhe jam gjithashtu shumë i lumtur te Juventusi. Për momentin nuk kam folur me drejtuesit për të ardhmen, por kam një kontratë deri në fund të sezonit dhe dua ta respektoj në maksimum atë. Jemi në fillimet e një projekti të ri dhe dua të vazhdoj të luaj për Juven”, nënvizoi spanjolli.
Më pas Morata u ndal të fliste për Cristiano Ronaldon për gjendjen shpirtërore të portugezit dhe për të ardhmen e tij. “Të gjithë na kanë kritikuar, kjo gjë na bezdis natyrisht. Unë nuk dua të shpjegoj se kush është Cristiano Ronaldo, ai kërkon gjithmonë të mbrojë fanellën e Juventusit. Nuk është i qetë, kjo edhe për faktin se një lojtar si ai është mësuar të luajë finalet e Champions League. Megjithatë problem nuk qëndron te Juventusi pasi CR7 është i kënaqur me grupin dhe gjendja e tij shpirtërore do të ishte e njëjtë edhe në një klub tjetër, pasi një lojtar si Ronaldo që është mësuar të fitojë, është gjithmonë i mërzitur kur gjërat nuk shkojnë mirë. Por unë mendoj që ai është i lumtur te Juventusi dhe dëshiron të qëndrojë“, tha Morata.