Herën e fundit që Interi fitonte, pronësinë e klubit e kishte Massimo Moratti, i cili menjëherë pas sigurimit të titullit kampion të këtij sezoni, ka dhënë një intervistë për mediat italiane.
Ish-bosi zikaltër ka thënë se tani është koha që Interi të hapë një tjetër cikël fitues nën drejtimin e Suning dhe ka bërë apel që të vazhdohet përpara me Antonio Conten, për të cilin nuk i ka kursyer komplimentet.
Titulli kampion – “Janë të gjithë mundësitë që Interi të rihapë një tjetër cikël fitues me Suning dhe për të bërë mirë edhe në Champions. Edhe ne na ndodhi kështu, që pas titullit të parë, hapëm një cikël fitues 5-vjeçar”.
Conte – “Ka merita të jashtëzakonshme, pasi ka vënë gjithmonë fytyrën e tij për t’u përballur me situatat dhe tani duhet të vazhdojmë me të. Në Kupën e Italisë ka lindur edhe Conte anti-Juventus, që ishte një sodisfaksion i jashtëzakonshëm”.
Lojtarët më të spikatur – “Hakimi është një Maicon i ri, ndërsa Barella ka Interin nën lëkurë. Të mos harrojmë Lukakun e Eriksen, por unë doja të citoja njerëz si Darmian e Ranocchia, që kanë luajtur më pak, por kanë po aq shumë merita në këtë sukses”.
Agnelli – “Më vjen keq që e kanë sulmuar të gjithë, por të mos harrojmë që vjen nga 9 tituj kampion radhazi. Sigurisht që me Super Ligën, bëri një goxha rrëmujë së bashku me Florentino Perez”.