Policia ka sjellë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e mëngjesit të së mërkurës në Durrës, ku Aleks Marku iu vetëdorëzua forcave RENEA pasi qëlloi me armë zjarri nga dritarja e apartamentit ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur.
Policia e Lezhës ka referuar në dy raste në Prokurori, më 14 Dhjetor 2023 dhe 27 Mars 2024, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e 40-vjeçarit, B. Marku, 32 vjeçe. Në asnjërën nga këto seanca, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në gjykatë.
“Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit Aleks M., shtetasen B. Marku, 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë“, njoftoi policia.
Ndërkohë 40-vjeçari, sipas policisë, rezulton se ka thyer në Itali masën e sigurisë arrest në shtëpi për vjedhje.
Uniformat blu po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse Marku ka qenë nën efektin e lëndëve psikotrope gjatë ngjarjes.
Ndërkohë, banorë të lagjes ky ai kishte marrë apartamentin me qira tregojnë se ai ishte përdorues i drogave.
Ndaj Markut rëndojnë disa vepra penale si “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Megjithatë vijojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të kësaj ngjarje.