Presidenti amerikan, Donald Trump demonstroi sot një marrëdhënie shumë miqësore me Vladimir Putin në kuadër të G20-ës, duke shkuar deri në hedhjen e batutave, duke u përgjigjur me shaka për një përpjekje të mundshme të ndërhyrjes ruse në presidencialet e 2020 në SHBA.
“Jo ndërhyrje në zgjedhje zoti President, ju lutem”, tha ai me ironi duke u kthyer drejt Putin.
Donald Trump i ktheu në këtë mënyrë përgjigje një pyetjeje të drejtpërdrejtë të një gazetari për një tentativë të mundshme të ndikimit rus në zgjedhjet e 2020.
Që nga zgjedhjet e fundit në SHBA po vijojnë hetimet parlamentare, për lidhje mes fushatës së republikanit për presidencialet e 2016 dhe Rusisë.
Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu marrëdhënien shumë të mirë me homologun rus, Vladimir Putin, në nisje të diskutimeve dypalëshe të shumëpritura, në kuadër të samitit të G20-ës në Osaka në Japoni.