Aktivistët e Lëvizjes Bashkë mbajtën këtë të enjte një protestë në ambientet e jashtme të parlamentit, ku kundërshtuan rritjen e pagës së deputetëve dhe kërkuan miratimin e minimumit jetik.
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri, sulmoi në fjalën e tij deputetët e parlamentit, të cilët i cilësoi si njerëz të pa shkolluar që nuk e meritojnë pagën që marrin.
Qori nënvizoi se në një vend ku pensioni minimal është 80 mijë lekë të vjetra, deputetët nuk e meritojnë kurrsesi një pagë prej 3 milionë e 100 mijë lekë të vjetra.
“Në vendet demokratike deputetët studiojnë shumë, më besoni. Janë në komisione parlamentare, studiojnë ligjet e vendeve të tjera, lexojnë libra ose ligje të ngjashme dhe punojnë me stafe ekspertësh e po ashtu takojnë zgjedhësit e tyre. Në Shqipëri deputeti përveçse është injorant është edhe bjerraditës, nuk bën asgjë nga mëngjesi deri në darkë. Thjesht dy muaj para zgjedhjeve ingranohet në atë lagjen e vetë, edhe fillon ku me premtime, ku me kërcënime, ku me blerje vote, ku me shitje vende pune të sigurojë vota. Këta njerëz pa asnjë vlerë do t’i dyfishojnë pagën vetes dhe do t’ia bëjnë 3 milionë e 100 mijë lekë të vjetra. Në një vend ku pensioni minimal është 80 milionë lekë të vjetra. Unë bëra një llogaritje dhe më doli se rroga e deputetit do të jetë sa 39 pensione minimale, ky është një skandal”, tha Qori.
Teksa kryetari i Lëvizjes Bashkë mbante fjalimin e tij në sfond dukeshin aktivistët të cilët mbanin një banderolë ku shkruhej “Mos u ngopshi”.
Aktivistët e “Lëvizjes Bashkë” vrapojnë pas Ahmetajt, deputeti ndërron rrugë
Anëtari i Këshillit Bashkiak Redi Muçi, është shprehur se parlamenti shqiptar është kthyer në një ambient luksi.
“Ben Ahmetaj në njëfarë mënyrë përfaqëson në mënyrën më ekzemplare të mundshme korrupsionin e kësaj qeverie dhe të këtyre deputetëve. Po ja i bëri bisht dhe kësaj proteste që jemi këtu. Nëse hyni brenda kësaj salle dhe i drejtoni kamerat një nga një nga ato ulëse, do shihni se si parlamenti shqiptar është kthyer në një ambient luksi”- tha ai.
Në momentin që Muça po fliste drejt Kuvendit ka ardhur deputeti Arben Ahmetaj, i cili ka ndërruar rrugë sapo ka parë aktivistët.
Këta të fundit i janë drejtuar duke i thënë: ‘Hajde Tigër’.