Kryesore “Mos u nxitoni se ka akoma”, Rama: PD është financuar me para...

“Mos u nxitoni se ka akoma”, Rama: PD është financuar me para ruse me dijeninë e një grushti njerëzish

Financimi me para ruse për Partinë Demokratike në vitin 2017, është kthyer sërish në një çështje diskutimi në Kuvend. Gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur se PD është financuar se para ruse sepse sipas tij ky është një fakt i ditur botërisht.

“Për sa kohë ju do të keni njerëz të cilët besojnë çdo gjë, jeni në të drejtën tuaj që të ushqeni iluzionin se mund të talleni me të gjithë këtë popull, por siç nuk iu ka ecur asnjëherë, përsëri nuk do të ju ecë kjo tallje e madhe me të gjithë sepse do të bënte sens gjithë kjo vijë logjike nëse nuk do të kishit qenë po ju që në atë kohë kur kjo çështje u bë publike, nuk do të kishit bërë përbetime për virgjërinë e Lulit dhe nëse nuk do të kishte qenë “non grata” juaj që do të kishte dalë me çarçafin e bardhë pa asnjë njollë për të predikuar pastërtinë e Virgjëreshës që mbanit në krye. Nëse nuk do të kishit qenë ju që nuk do të kishit akuzuar Sorosin për fakte të cilat sot me demek po kërkonit t’i nxirrnit nga kthetrat e një errësire ku i paskam kyçur unë. Që PD është financuar me para ruse, kjo dihet, është botërisht e njohur, fakt botërisht i njohur. I dalë në atë kohë, i mohuar kategorikisht nga ju. Atëherë fjalimi juaj ishte komplet tjetër dhe garancia absolute vinte gjithmonë andej nga vinte garancia për gjithë ato vite rresht: Mos ma prekni Lulin, kush e thoshte, unë e thosha apo e thoshte ai që sot ka rrëmbyer nga e para flamurin e Haxhi Qamilit dhe është nisur në luftë me Amerikën”, tha shefi i qeverisë.

Kryeministri Rama ka theksuar se ato para kanë hyrë me dijeninë e plotë që të një grushti njerëzisht që janë ndarë në dy gishta dhe me dy gishtat nga ana tjetër dhe me gishtin e pestë që përpiqet të gjejë se tek cili nga dy gishtat do të futet, teksa Rama ka shtuar duke thënë se ka më shumë se aq.

“Unë do të thosha vetëm kaq, që jo vetëm që ato para, financim i paligjshëm i partisë politike kanë hyrë me dijeninë e plotë të një grushti njerëzish dhe që tani ai grusht është ndarë në dy gishta nga njëra anë dhe me dy gishtat në anën tjetër dhe me gishtin e pestë që përpiqet që të gjejë se tek cili nga dy gishtat do të futet , por ka më shumë se aq dhe unë do të ju sugjeroja që të mos nxitoni me deklarata që mund të ju bien prapë ndesh dhe detyroheni të merrni një pozicion të tretë dhe të katërt. Ju nuk keni lidhje me të vërtetën dhe nuk e keni fare problem që nesër t’i mohoni të gjitha. Për sa kohë keni akoma njerëz që janë gati t’i shpallin luftë botës me idenë që është një vend sovran, i cili nuk pyet dhe nuk do të pyesë për asnjeri. Këtë kam për borxh të jua them: Mos u nxitoni se ka akoma, ka akoma”, tha Rama.