Moti ekstrem ka përfshirë Italinë. Këto pamje janë dëshmi e një tjetër stuhie të tërbuar që goditi veriun e Italisë, natën mes të hënës dhe të martës.
Një 16-vjeçare humbi jetën në një kamp çadrash me pushues në rrethinat e Breshias, pasi u godit nga një pemë që u shkul me gjithë rrënjë nga erërat e fuqishme.
Stuhitë e shiut goditën gjatë natës edhe Milanon dhe rajone të tjera të veriut deri në Veneto, ku pati me dhjetëra të plagosur në incidente të ndryshme. Erërat e forta, përveçse shkulën pemë, dëmtuan me dhjetëra ndërtesa e automjete. Shumë rrugë nëpër qytete u përmbytën, duke futur në kaos qarkullimin rrugor si në rastin e Milanos. Në disa raste, stuhitë u shoqëruan edhe me breshër me kokrra të mëdha.
Ndërkaq, jugu i Italisë digjet nga temperatura që kanë arritur pranë rekordeve në Siçili, 47 gradë Celsius. Shumë vatra zjarri kanë shpërthyer orët e fundit, një pjesë e të cilave në kodrat përreth Palermos.