Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një njoftim për mediat ka bërë të ditur se autoritetet janë në terren me të gjitha kapacitetet, për t’ju përgjigjur situatës së motit në ditët në vijim, ku sipas parashikimeve pritet të ketë një përkeqësim dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.
Balluku tha se grupet e punës janë në gatishmëri për të garantuar që akset rrugore të jenë të hapura si dhe për të siguruar furnizim me energji elektrike.
Ajo i bëri thirrje drejtuesve të automjeteve të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa shtoi se janë marrë masat që akset rrugore të jenë të qarkullueshme.
“Të gjitha akset nacionale janë të aksesueshme. Të gjitha kompanitë janë në terren dhe kanë marrë masa për të mbajtur akset e hapura pa asnjë lloj ndalimi. Megjithatë dua t’i bëj thirrje drejtuesve të automjeteve që është shumë e rëndësishme që të tregoheni të kujdesshëm, të ecni me ngadalë, të keni pajisjet që duhen për raste të tilla apo mbi të gjitha të vendosni rripin e sigurisë. Ne do t’ju garantojmë të gjitha rrugët e hapura. Edhe rrugët dytësore siç janë ato të verilindjes, veriut apo lindjes që shpeshherë kanë problematika, ne do të punojmë ditë e natë që t’i mbajmë të hapura. Është bërë kriposja e gjithë akseve.
Me këto temperatura e di që fëmijët do t’ju kërkojnë të dilni nga shtëpia dhe të shkoni në zona malore aty ku ka dëborë, por nuk është rasti në 5 ditët e ardhshme pasi do të ketë temperatura të ulëta që do të krijojnë probleme.
Gjithashtu më duhet t’ju jap një informacion të detajuar sa i përket energjisë në kushtet e këtyre agjentëve atmosferik kaq të vështirë. Kemi marrë masa në gjithë Shqipërinë. OST, OSHEE edhe KESH-i janë në gatishmëri, në kaskadë jemi duke prodhuar në fuqi të plotë. Rritja e kërkesës e cila është e madhe, e kemi nisur muajin Janar me 14 mijë megavat orë kërkesë ditore ndërkohë që sot dhe në vazhdim parashikohet të kemi 24 mijë megavat orë kërkesë ditore. Kjo do të bëjë të kemi presion shumë të madh në sistemin energjitik dhe përveç kaskadës do duhet t’i drejtohemi edhe importit. Ne kemi marrë masat për të furnizuar të gjithë qytetarët dhe bizneset”, tha Balluku.
Ministrja u shpreh se për shkak të kushteve të këqija të motit mund të ketë edhe avari, por strukturat në terren do të përpiqen që t’i sistemojnë sa më parë. Një thirrje, ministrja e pati edhe për konsumatorët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos e shpërdorojnë energjinë.
“Të jemi të kujdesshëm, të mos e shpërdorojmë energjinë. Të kuptojmë se kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe në vendin tonë ne po punojmë që gjithçka të jetë normale. Qeveria ka vendosur që të mbrojë të gjithë konsumatorët. Së bashku në këtë moment duhet t’i qëndrojmë këtij sulmi natyror që do të zgjasë pak ditë.
Ju uroj të gjithëve fundjavë të mbarë, qëndroni të sigurt, kujdesuni për veten dhe familjarët tuaj. Na duhet të jemi të kujdesshëm në rrugë dhe të kursejmë energjinë elektrike”, tha Balluku.